Rektori  i Akademisë së Studimeve Albanologjike nga Republika e Shqipërisë, Akademik Prof. Dr.  Marenglen Verli, dhe Akademik Prof. Dr. Beqir Meta e vizituan Universitetin e Tetovës. Vizitat e drejtuesve të institucioneve arsimore-shkencore nga Shqipëria në UT e konfirmojnë bashkëpunimin e frytshëm ndërinstitucional që tashmë zhvillohet ndër vite.

Akademikët shqiptarë në UT u pritën nga Rektori, Prof. Dr. Vullnet Ameti dhe Prorektori për Arsim, Prof. Dr. Reshat Qahili. Në këtë takim u diskutua për bashkëpunimin e derisotëm dhe thellimin e tij në të ardhmen në lëmin e arsimit dhe hulumtimit shkencor.

“Universiteti ynë është tejet i kënaqur me bashkëpunimin që e zhvillojmë me akademinë që Ju e drejtoni, sikundër jemi të interesuar që kjo marrëdhënie  me interes të përbashkët për institucionet tona, që janë në shërbim të avancimit arsimor-shkencor, të vazhdojë edhe në të ardhmen. Si Rektor i këtij Universiteti, i kam dhënë përparësi realizimit të projekteve të përbashkëta me institucionet nga Republika e Shqipërisë, dhe punojmë që kjo praktikë të mbetët parësore në agjendën e Universitetit tonë edhe në të ardhmen” – theksoi Rektori i UT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti.

Ndërkaq, Rektori  i Akademisë së Studimeve Albanologjike nga Republika e Shqipërisë, Akademik Prof. Dr.  Marenglen Verli, shprehu konsideratën e tij për intensitetin e bashkëpunimit mes dy institucioneve, që japin kontribut domethënës për arsimin dhe hulumtimet e reja shkencore.

“Akademia e Studimeve Albanologjike me punën e saj është shndërruar në njërën nga qendrat, e cila me  kërkimet shkencore çdo ditë e më shumë jep rezultatet e saj. Falë kontributit të punonjësve shkencorë ne kemi arritur që të publikojmë disa tituj të rinj në lëmin e albanologjisë, disa prej të cilëve,  rreth 150, së shpejti do t’ia dhurojmë universitetit Tuaj dhe besojmë se do t’ju shërbejnë studenteve të katedrave përkatëse, komunitetit akademik dhe jo vetëm” – deklaroi, Rektori, Akademik Prof. Dr.  Marenglen Verli.

Vizita e sotme e drejtuesve të Akademisë së Studimeve Albanologjike në UT, u zhvillua mbi kuadrin e marrëveshjes së nënshkruar në tetor të vitit të kaluar, që përfshin bashkëpunimin në fushat akademike me interes të përbashkët, bazuar në parimet e barazisë dhe të reciprocitetit; shkëmbimin e stafit akademik, të hulumtuesve dhe studentëve në kuadër të veprimtarive kërkimore-shkencore; nxitjen, mbështetjen dhe realizimin e projekteve të përbashkëta kërkimore-shkencore; nxitjen, mbështetjen dhe realizmin e veprimtarive  tjera shkencore (konferenca, seminare dhe botime në fushat me interes të dyanshëm), si dhe shkëmbimin e literaturës shkencore; hulumtimin e arkivave dhe bibliotekave të ASA-s nga stafi akademik dhe studentët e UT-së.