Në Universitetin e Tetovës, sot zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, i angazhuar për çështje evropiane, Bujar Osmani, para studentëve të universitetit tonë e prezantoi konkursin e shpallur për zgjedhjen e eseve më të mirë rreth idesë së Bashkimit Evropian, të titulluar: “Me njohuri evropiane deri në kryeqytetin evropian”.
Gjatë qëndrimit në Universitetin e Tetovës, zëvendëskryeministri Bujar Osmani u prit në takim nga Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti. Ai tha se me hapjen e bisedimeve me Bashkimin Evropian komunikimi mes universiteteve dhe Sekretariatit që e drejton do të intensifikohet, me qëllim të shfrytëzimit të resurseve njerëzore, për t’u përballur me sfidat gjatë procesit të bisedimeve. “I jam falënderues Universitetit të Tetovës dhe Rektorit, Prof. Dr. Vullnet Ametit, që pranuan të jenë pjesë e kësaj iniciative. Unë paraprakisht zhvillova edhe një takim me rektorin, ku biseduam edhe për mundësinë e identifikimit të resurseve njerëzore për kapitujt e ndryshëm, të cilët do t’i hapim me hapjen e bisedimeve. Janë këto kapituj të sferave ekonomike, të sferave të bujqësisë, të sferave të mjedisit jetësor dhe do të na duhen shumë njerëz për t’u përballuar me sfidat e këtyre bisedimeve, dhe unë mendoj që universitetet kanë këto potenciale për t’i identifikuar këta njerëz dhe kur të formohen grupet e punës t’i kemi në funksion të këtij procesi”, u shpreh zëvendëskryeministri Bujar Osmani.
Ndërsa, Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti e falënderoi zëvendëskryeministrin Bujar Osmani dhe Qeverinë e Maqedonisë për mbështetjen e vazhdueshme që i japin universitetit tonë, duke u dëshiruar suksese në rrugën e tyre për anëtarësimin e vendit në strukturat euroatlantike “Në emër të Universitetit të Tetovës dua t’i shpreh falënderime zëvendëskryeministrit Bujar Osmani dhe Qeverisë së Maqedonisë për përkrahjen e vazhdueshme që i kanë dhënë dhe i japin universitetit tonë. Sot e kemi këtu zëvendëskryeministrin e angazhuar për çështje evropiane, Bujar Osmanin, i cili së bashku me Fakultetin Juridik dhe Parlamentin Studentor do të promovojnë një projekt për studentët, ku merren iniciativa për ngritjen e një ideje, një vizioni për integrimet dhe rrugën e proceseve euroatlantike. Në emër të universitetit, Qeverisë së Maqedonisë i dëshiroj suksese në misionin e saj që sa më shpejtë vendi ynë të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian dhe pjesë e NATO-s”, theksoi Rektori, Prof. Dr. Vullnet Ameti.
Pas takimit me rektorin, zëvendëskryeministri Bujar Osmani, gjatë prezantimit të konkursit para studentëve të UT-së u shpreh se aksioni i Sekretariatit për Çështje Evropiane është në funksion të riaktivizimit të të gjitha aspekteve shoqërore në pritje të vendimit të madh për fillimin e bisedimeve me Bashkimin Evropian. “Ky aksion që e kemi quajtur “Nëpërmjet dijes deri te metropola evropiane”, ku ne kemi hapur një garë të studentëve të shkencave shoqërore të universiteteve shtetërore në Maqedoninë e Veriut, që nëpërmjet eseve të përshkruajnë njohuritë e tyre mbi idenë evropiane dhe mbi perspektivën tonë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Më të mirët do të vlerësohen dhe shpërblehen me një vizitë studimore në Bruksel, të organizuan nga Sekretariati për Çështje Evropiane, me qëllim që të rinjtë të përafrojnë me idetë evropiane, por edhe me institucionet e Bashkimit Evropian. Jemi shumë afër fazës finale për anëtarësim, fazë në të cilën nuk është më çështje se a do të jemi, por kur do jemi anëtar i BE-së dhe, këta studentë nesër do të jenë bartës të këtyre bisedimeve dhe bartës të proceseve në BE”, tha zëvendëskryeministri Bujar Osmani.
Studentët parashtruan një sërë pyetjesh që kishin të bëjnë me anëtarësimin e vendit në strukturat euroatlantike, kyçjen e të rinjve në këto procese, rëndësinë që institucionet e Bashkimit Evropian u japin të rinjve etj.

Zyra për Informim