Studentët e Fakultetit Juridik, të programit studimor të Kriminalistikës, sot organizuan një seancë të improvizuar gjyqësore me temë “Keqpërdorimi i pozitës dhe autorizimit zyrtar” dhe “Keqpërdorimi i mjeteve financiare për financimin e fushatës zgjedhore” – rasti i Lube Boshkovskit.

Seanca e sotme e studentëve u realizua nën udhëheqjen e Doc. Dr. Arta Bilalli – Zendeli. “Rasti i simuluar është zgjedhur në mënyrë të rastësishme, pra bëhet fjalë për rastin e kryetarit të partisë Të Bashkuar për Maqedoni, Lube Boshkovskit. Ne jemi munduar ta paraqesim mënyrën se si ka funksionuar dhe si është zhvilluar gjykimi. Në fund studentët e kanë dënuar atë me gjashtë vjet burg”- tha Doc. Dr. Arta Bilalli-Zendeli

Aktivitetin e përshëndeti edhe prodekani për Arsim, Doc. Dr. Jusuf Zendeli, i cili theksoi se krahas realizimit të mësimit praktik, klinik, vizitave studimore në institucione të ndryshme shtetërore brenda dhe jashtë Maqedonisë, studentët tanë njëkohësisht janë në gjendje që të realizojnë edhe aspektin praktik të funksionimit të institucioneve, në këtë rast të sistemit gjyqësor të vendit tonë.

Me të njëjtën seancë të improvizuar gjyqësore, studentët e Fakultetit Juridik kanë fituar vendin e parë në garat e organizuara nga OSBE në Shtip.