Studenti i programit studimor – Regji, i Fakultetit të Arteve i Universitetit të Tetovës, Gent Mehmeti, në kuadër të përgatitjes së shfaqjes së diplomës ka realizuar shfaqjen “Tregimi zoologjik” të autorit Edward Albee.

Kjo shfaqje, përveç vlerësimit që ka marrë nga profesorët e tij, e njëjta është vlerësuar edhe me disa çmime nga teatro të njohur.

Shfaqja “Tregimi zoologjik”  e studentit Gent Mehmeti është realizuar nën udhëheqjen e profesor Mehmet Xhelilit dhe regjisorit, Ass. Mr. Qëndrim Rijanit.

Në bashkëpunim me Teatrin e Tetovës, shfaqja e lartpërmendur është vënë në skenën e disa festivaleve teatrore, në dy prej të cilëve është shpërblyer me çmimet: “Regjisori më i mirë” dhe “Aktori i ri më i mirë”.

Ass. Mr. Qëndrim Rijani, thotë se studentët e drejtimit të Regjisë në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Tetovës, në kuadër të përgatitjes së shfaqjes së diplomës, përgatitin shfaqje të plota me të gjithë komponentët, dhe sipas tij, një nga shfaqjet që janë punuar, është edhe “Tregimi zoologjik”, e realizuar nga studenti Gent Mehmeti.

“Të gjitha shfaqjet që janë prodhim artistik i Fakultetit të Arteve të UT-së, programit studimor të Regjisë, kanë marrë pjesë në festivale dhe në kuadër të një marrëveshjeje me Teatrin e Tetovës, përveç se janë shfaqur në sallën e fakultetit, ato janë rishfaqur edhe në sallën e teatrit. “Tregimi zoologjik” në kuadër të festivaleve të fundit ku ka konkurruar është shpërblyer me çmime” – thotë regjisori, Ass. Mr. Qëndrim Rijani.

Ai, arritjet artistike të studentëve i konsideron suksese të mëdha të Fakultetit të Arteve, përderisa kanë arritur të përgatitin shfaqje konkurruese për teatrot profesionalë.

Zyra për informim