Në vazhdën e punimeve të Konferencës së tretë shkencore ndërkombëtare të Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë të Universitetit të Tetovës, u realizua punëtori (workshop) me studentët dhe profesorët e programit studimor të Stomatologjisë. Qëllimi i kësaj punëtorie ishte njoftimi i studentëve mbi aftësitë orale – kirurgjikale dhe implantologjinë bashkëkohore.
Nën udhëheqjen e specialistit të kirurgjisë orala, dr. spec. Danço Bizevski dhe profesoreshës, doc. dr. Jetmira Alimani Jakupi, studentët fillimisht u njoftuan me instrumentet elementare kirurgjike dhe pas kësaj, të ndarë në disa grupe ata filluan punën praktike me nofullat e kafshëve për të realizuar implantin e dhëmbit, duke u nisur që nga incizimi, preparimi i vendit të implantit, vendosjen e implantit dhe qepjen.
Dr. spec. Danço Bizevski vlerësoi lartë punën dhe angazhimin e studentëve të stomatologjisë të Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë të Universitetit të Tetovës, të cilët në mënyrë mjaft aktive dhe me shumë sukses e realizuan punën e implantit. Siç u shpreh ai, nga përvojat e tij profesionale në fushën e stomatologjisë, deri më tani implante ka realizuar vetëm me specialistë, ndërsa me studetë për herë të parë. „U ndava mjaftë i kënaqur me punën e studentëve, ishin mjaftë të përgaditur për sa i përket realizimit të implantit. Dua t’i përgëzoj ata për përkushtimin dhe rëndësinë që u japin studimeve, falë punës së pedagogëve të tyre dhe dëshirës së studentëve për punë, ku dalin rezultate efektive. Më bëri përshtypje jashtëzakonisht të madhe edhe kujdesi i rektorit të Universitetit të Tetovës, prof. dr. Vullnet Ameti, i cili për së afërmi e ndoqi punën e studentëve dhe aty e kuptova se studentët janë më se të motivuar nga se kanë suport të mjaftueshëm nga udhëhqësia e Universitetit dhe sidomos dekani i Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë, prof. dr. Kastriot Haxhirexha. Uroj që në konferencat e ardhshme studentët tuaj të sjellin prurje të reja shkencore në fushën e stomatologjisë”, deklaroi dr. spec. Danço Bizevski.
Në kuadër të sesioneve të Konferencës së tretë shkencore ndërkombëtare të Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë u prezantuan një sërë punimesh nga fusha e stomatologjisë nga studiues eminentë nga vendi dhe rajoni.