Në kuadër të Kongresit Shkencave të Natyrës, Shëndetësisë dhe Teknologjisë, që u organizua nga Universiteti Tetovës, Fakulteti i Shkencave të Mjekësisë e organizoi Konferencën IV shkencore ndërkombëtare me pjesëmarrje të një numri të madh të studiuesve nga vendi, rajoni dhe bota. Në këtë konferencë u prezantuan punime shkencore rreth zhvillimeve të fundit nga mjekësia, si dhe u analizuan prurjet e reja shkencore. Veç kësaj, konferenca u pasurua edhe me realizimin e dy punëtorive shkencore.
Për studentët e shkencave të mjekësisë u realizua punëtoria me temë: “Mbështetja themelore e jetës – defibrilatori i jashtëm automatik MTHJ – DJA”, nën udhëheqjen e Prof. Asoc. Dr. sc. Basri Lenjani dhe Prof. Asc. Agron Dogjani. Kjo punëtori përfshiu trajnim me 3 orë leksione dhe 5 orë demonstrim praktik. Gjatë kësaj kohe u bë trajnimi dhe përvetësimi i shkathtësive të nevojshme për MTHJ – DJA; masazhi i jashtëm, lirimi i rrugëve ajrore dhe frymëmarrja jetëshpëtuese artificiale në përputhje me rekomandimet e RKP – AHA – ECR 2015, duke aplikuar standardin e përdorimit të AED në Evropë dhe në botë. Këtu u përfshinë kujdesi te personat me vetëdije të humbur, mënyrat e zgjidhjes së rasteve që kanë mbyllje të rrugëve të frymëmarrjes me trupat e huaj, gjakderdhjet dhe metodat e ndaljes së gjakderdhjes, ndihma e parë te të lënduarit, duke njohur të gjitha llojet e lëndimeve dhe kujdesin e tyre në nivelin e ndihmës së parë. Vëmendje e veçantë iu kushtua teknikave të trajnimit, të ngritjes dhe transportimit të të lënduarve: me një shpëtimtar ose më shumë shpëtimtarë, pa pajisje dhe me përdorimin e mjeteve të transportit standard ose të improvizuar, dhe mobilizimin e të lënduarve. Pas përfundimit të programit të trajnimit, të gjithë kandidatëve pjesëmarrës në trajnim iu ndanë certifikata për shkathtësitë e përfituara për aplikimin e masave të MTHJ – DJA, e cila ka për qëllim që profesionistët e kujdesit shëndetësor, mjekë, studentë, infermierë dhe personeli jomjekësor, të kenë aftësi për rastet jetëkërcënuese për shëndetin.
Ndërsa punëtoria tjetër u zhvillua me studentët e programit studimor të Stomatologjisë, të cilët për katër ditë me radhë e ndoqën kursin me temë “Principet, diagnostika dhe planifikimi i implanteve dhe terapia e implant – protetikës”, të udhëhequr nga Doc. Dr. Jetmire Alimani – Jakupi dhe Dr. Danço Bizevski. Gjatë realizimit të kësaj punëtorie janë punuar dhe analizuar bazat e kirurgjisë orale, anatomia e kokës dhe qafës, sterilizimi, kushtet e sepsës dhe antisepsës, si dhe është mbajtur pjesa praktike, si simulimi i pacientit, fusha punuese operative me nofullat e kafshëve, vendosja e implanteve, planifikimi i fazës protetikore, vendosja e implanteve në nofulla, vendosja e formeragingivave dhe transfereve, si dhe marrja e masave mbi implante.
Punëtoria e stomatologjisë u përmbyll me ndjekjen e intervenimeve të drejtpërdrejta kirurgjike, edhe atë implantim në mandibullë, vendosjen e abatmenëve të përkohshëm, si dhe marrja e masave në konstruksionin definitiv protetik. Ndërsa për pjesëmarrësit në këtë kurs janë ndarë certifikata për aftësitë e fituara nga ky trajnim.
Zyra për Informim