Studentët e Universitetit të Tetovës gjithnjë e më shumë shënojnë arritje profesionale, suksese të njëpasnjëshme edhe në arenën ndërkombëtare. Ditëve të fundit kemi raportuar për sukseset artistike të studentëve të Fakultetit të Arteve, ndërkaq sot po e evidentojmë një sukses të ish-studentes sonë, Mr. Sc. Liridona Useini, e cila studimet deridiplomike dhe pasdiplomike (masterit), i ka kryer në  Fakultetin e Shkencave Matematike – Natyrore të Universitetit të Tetovës.

Sikurse ka bërë të ditur edhe vetë Universiteti i Lajpcigut, ish-studentja e programit studimor të biokimisë në Universitetin e Tetovës –Mr. Sc. Liridona Useini e ka marrë çmimin e parë për leksionet më të mira të doktoraturës nga Instituti për Kimi Organike.

Me këtë sukses ajo  përveç se ka shënuar një arritje në karrierën e saj profesionale dhe akademike, njëkohësisht ka nderuar edhe Universitetin tonë. Me punën dhe përkushtimin e saj si studente në Universitetin e Tetovës dhe tani në Universitetin e Lajpcigut arriti që të zgjidhet si më e mira në lëmin e saj të studimeve.

Në kuadër të programeve arsimore ndërkombëtare edhe studentë të tjerë të katedrave të fakulteteve tona vijojnë me sukses angazhimet e tyre në universitete prestigjioze nga Evropa dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me të cilët Universiteti i Tetovës ka marrëveshje bashkëpunimi për këmbimin e studentëve dhe stafit akademik.