Universiteti i Tetovës nga Tetova dhe Kolegji AAB nga Prishtina e Republikës së Kosovës nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi. Kjo marrëveshje u nënshkrua me qëllim të zhvillimit të bashkëpunimit akademik dhe promovimit të mirëkuptimit mes dy universiteteve. Aktin e këtij memorandumi e firmosën Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti dhe Rektori i Kolegjit AAB nga Prishtina, Prof. Ass. Dr. Lulzim Tafa.

Sipas marrëveshjes, qëllimi i këtij bashkëpunimi është krijimi i partneritetit në mes të Universitetit të Tetovës dhe Kolegjit AAB në fushën profesionale, arsimore dhe shkencore, që përfshin të gjitha programet e studimit të organizuara nga palët nënshkruese.

Me këtë marrëveshje të dy institucionet bien dakord të zhvillojnë aktivitete në fushat akademike me interes të përbashkët, duke u bazuar në principet e barazisë dhe reciprocitetit si: Shkëmbimi i stafit akademik dhe administrativ; Shkëmbimi i studentëve të cikleve të ndryshme të studimit për periudha semestrale studimi ose për periudha të praktikave; Aktivitetet dhe publikimet e përbashkëta në kërkim shkencor; Pjesëmarrja në seminare, konferenca, evenimente dhe takime akademike; Shkëmbimi i materialeve akademike si dhe informacioneve të tjera të nevojshme; Programet e veçanta akademike afatshkurtra, duke përfshirë organizimin e përbashkët të shkollave verore; Aplikimi i përbashkët për fonde vendore e ndërkombëtare në fushën e arsimit të lartë dhe të shkencës; Krijimi i lehtësimeve administrative gjatë punësimit të stafit akademik me orar të pjesshëm; si dhe forma të tjera të bashkëpunimit.

Pas firmosjes së marrëveshjes, Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti dhe Rektori i Kolegjit AAB, Prof. Ass. Dr. Lulzim Tafa, morën pjesë në disa aktivitete sportive, të cilat u zhvilluan në sallën e sporteve të UT-së, të organizuara bashkërisht nga Fakulteti i Kulturës Fizike i Universitetit të Tetovës dhe Fakulteti i Kulturës Fizike dhe Sportit i Kolegjit AAB në Prishtinë.