Universiteti i Tetovës, sot, më 13 maj 2020 filloi me organizimin e “Ditëve të Hapura” për vitin akademik 2020/21. Për shkak të pandemisë së Covid-19, këtë vit kjo ngjarje për herë të parë organizohet në një format krejtësisht ndryshe – online. Të gjithë të interesuarit nga vendi dhe rajoni e më gjerë, e kanë mundësinë që nga distanca të informohen dhe komunikojnë drejtpërdrejtë me stafin e universitetit, për ofertën arsimore-shkencore, kushtet e studimit, programet dhe drejtimet studimore, për vitin akademik 2020 /2021, përmes faqes https://ut-openday.com/index.html.
Dekani i Fakultetit Pedagogjik, Prof. Dr. Fadbi Osmani theksoi se pandemia nuk e ka ndërprerë aktivitetin e Universitetit të Tetovës, pasi gjatë këtyre ditëve ligjëratat janë mbajtur online, dhe studentët kanë qenë mjaft aktivë. “Fakulteti Pedagogjik regjistron studentë në tri cikle, dhe atë, në ciklin e parë regjistron studentë në katër programe studimore: Mësimi klasor,Drejtimi parashkollor, Pedagogji profesionale dhe Edukim special dhe rehabilitim. Ndërkaq, në kuadër të ciklit të dytë regjistron studentë në tre drejtime: Pedagogji – inovacione didaktike, Pedagogji – arsimim elementar, Pedagogji – menaxhimi në arsim. Në ciklin e tretë, Fakulteti Pedagogjik ka filluar të regjistrojë, dy vite me radhë, studentë në dy drejtime: Strategjitë për zhvillimin e arsimit dhe strategjitë për zhvillimin e mësimit. Në mënyrë afirmative dua të theksoj se ne jemi të gatshëm që brenda këtyre tri ditëve t’u ofrojmë studentëve, maturantëve tanë nga të gjitha trojet, që ata ta kenë më lehtë në përcaktimin e tyre. Ne si fakultet dhe universitet ofrojmë kushte maksimale dhe solide për studime. Universiteti ynë është lider në rajon, pasi ofron cilësi, kompetenca profesionale, programe studimore të dizajnuara dhe të akredituara ndërkombëtarisht, dhe kështu edhe studentëve ju ofron një gamë të gjerë vlerash, me studentet që do të jenë konkurrues edhe në tregun evropian”, deklaroi dekani i Fakultetit Pedagogjik, Prof. Dr. Fadbi Osmani.
Dekani i Fakultetit Juridik, Prof. Dr. Qebir Avziu iu drejtua nxënësve të shkollave të mesme, që kanë përfunduar vitin e katërt, të cilët kanë dëshirë që në jetën e tyre të punojnë si gjyqtarë, prokurorë, avokatë, noterë, përmbarues apo gazetarë, të vijnë të regjistrohen në Fakultetin Juridik. “Në këtë fakultet, ne ofrojmë katër programe të ndryshme studimore: Programin e drejtësisë, Programin e kriminalistikës, Programin e shkencave politike dhe Programin e gazetarisë. Për dallim nga vitet e tjera, këtë vit Fakulteti Juridik ofron në Programin studimor të drejtësisë: studime me 180 kredi dhe studime me 220 kredi, i cili është një benefit i madh për studentët e ardhshëm. Unë dua t’i informoj edhe ata që e kanë kryer fakultetin dhe janë me 180 kredi, që këtë vit mund të vijnë të regjistrohen në Fakultetin tonë dhe të marrin 240 kredi, apo të regjistrojnë vetëm vitin e katërt. Në kemi një kuadër të madh të profesorëve, kemi praktikantë të ndryshëm. Tash kemi akredituar edhe klinikën juridike, e cila do të jetë në funksion të studentëve. Po ashtu, jemi duke ngritur një radio universitare, e cila do të mund t’i informojë studentët çdo ditë lidhur me aktivitetet e Universitetit të Tetovës dhe sidomos në Fakultetin Juridik. Oferta jonë akademike është mjaft e favorshme për nxënësit dhe studentët, kështu që, unë i thërras të gjithë që të regjistrohen në Fakultetin Juridik”, tha ndër të tjera dekani i Fakultetit Juridik, Prof. Dr. Qebir Avziu.
Dekani i Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë, Prof. Dr. Kastriot Haxhirexha tha se ky vit me vështirësitë e tij, me këtë pandemi që ka kapluar tërë botën, na vuri të gjithë neve para sfidave të ndryshme. “Ju si maturantë përpara sfidës që ta përfundoni këtë vit akademik, në një mënyrë jo normale, jo të rregullt, ndërsa ne si universitet që këtë eveniment “Ditët e Hapura”, këtë vit detyrohemi që ta realizojmë në formën online, por jam i bindur dhe besoj që bashkërisht do t’i përballojmë këto sfida dhe përsëri do të dimë të jemi afër njëri-tjetrit, ashtu si edhe vitet tjera akademike. Në cilësinë e dekanit të Fakulteti të Shkencave të Mjekësisë të ju prezantoj ofertën akademike të këtij fakulteti për këtë vit. Fakulteti i Shkencave të Mjekësisë ka gjashtë drejtime studimore: Mjekësinë e përgjithshme, Stomatologjinë dhe Farmacinë, si dhe tre drejtime trevjeçare: Infermierinë, Maminë dhe Fizioterapinë. Të gjithë maturantët i kanë dyert e hapura, kanë përkrahjen tonë që të na bashkëngjiteni dhe të jeni pjesë e këtyre programeve studimore. Universitetet ku ju mund të investoni janë si banka dhe të jeni të sigurt se Universiteti i Tetovës është ajo bankë e cila ju ofron sigurinë më të madhe, kushte më të mira, por ju ofron edhe kualitet dhe cilësi për një të ardhme më të mirë tuajën. Sot, Universiteti i Tetovës llogaritet krah për krah me universitetet më të fuqishme shqiptare në vend, si ai i Prishtinës dhe i Tiranës, por Universiteti i Tetovës falë punës, këmbënguljes, kuadrove që ka nxjerrë në tërë këto vite, ka kredibilitet të lartë edhe në shumë vende të tjera të Evropës, kështu që secili prej jush që do të bëhet pjesë e Universitetit të Tetovës, të jetë i sigurt se me diplomën e tij do t’i ketë dyert e hapura jo vetëm në Ballkan por edhe më gjerë në Evropë”, u shpreh Dekani i Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë, Prof. Dr. Kastriot Haxhirexha. Në Universitetin e Tetovës, “Ditët e Hapura” do të vijojnë deri të premten, më 15 maj 2020.Zyra për Informim