Një delegacion i Universitetit të Tetovës i kryesuar nga Rektori, Prof. Dr. Vullnet Ameti e vizitoi Komunën e Tuzit, ku u pritën në takim nga kryetari i sapozgjedhur i Tuzit, Nik Gjeloshaj. Takimi kishte karakter miqësor dhe u diskutuan shumë çështje që kanë të bëjnë me tematika të ndryshme, si ato arsimore – shkencore, kulturore, shoqërore etj. Po ashtu, rëndësi iu kushtua edhe bashkëpunimit në të ardhmen dhe ofertës akademike që Universiteti ynë e ofron këtë vit për maturantët e kësaj komune.
Rektori, Prof. Dr. Vullnet Ameti tha se për maturantët e Komunës së Tuzit, të cilët do t’i vijojnë studimet në Universitetin e Tetovës, do të ofrohen kuota shtesë. Bashkëbiseduesit u pajtuan që nxënësit e shkollës së mesme “25 Maji” të Tuzit të mbështeten me bursa dhe kuota përkatëse, me qëllim që të bëhet orientimi më i mirë profesional në drejtime të caktuara, që në të ardhmen të krijohen kuadro të nevojshëm për më shumë sektorë.
Në fund të takimit, Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, kryetarit të Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, në shenjë urimi, respekti e nderi për detyrën e tij të re, ia dhuroi flamurin dhe logon e Universitetit të Tetovës bashkë me portretin e themeluesit dhe Rektorit të parë historik të UT-së, Prof. Dr. Fadil Sulejmani.
Ndërsa Kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj e falënderoi Rektorin Prof. Dr. Vullnet Ameti për vizitën dhe mbështetjen që ai u jep maturantëve të Komunës së Tuzit, me qëllim që të ardhmen e tyre profesionale dhe akademike ta krijojnë duke studiuar në Universitetin e Tetovës.
Më pas, ekipi promovues i ofertës akademike 2019/2020 i Universitetit të Tetovës realizoi takim me maturantët e shkollës së mesme të Tuzit dhe maturantët e shkollës së mesme „Vëllazërim – Bashkimi“ në Ulqin, ku para maturantëve të këtyre trevave u prezantuan të gjitha njësitë akademike bashkë me programet studimore që Universiteti ynë i ofron për ata. Maturantët e këtyre shkollave shprehën interesim të madh për pjesën dërmuese të programeve studimore që Universiteti ynë i ofron për vitin akademik 2019/2020.
Zyra për Informim