Në kuadër të organizimeve për shënimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, Universiteti i Tetovës, sot organizoi panel diskutimi me temë “20 vjet përtej Ohrit”. Në këtë panel qëndrimet e tyre rreth kësaj tematike i shfaqën zëvendëskryeministi i parë i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut z. Artan Grubi, Prof. Dr. Dejvid Filips nga Universiteti Kolumbia, Prof. Dr. Arsim Bajrami nga Universiteti i Prishtinës, prorektori për bashkëpunim ndërkombëtar i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Shefik Shehu, dekani i Fakultetit Filozofik Prof. Dr. Ibish Kadriu dhe profesoresha e Universitetit tonë Doc.Dr. Sheruze Osmani Ballazhi.

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, Dr. Artan Grubi në fjalimin e tij u fokusua në rrugëtimin sfidues të legalizimit të Universitetit të Tetovës, rezistencën dydekadëshe dhe sakrificat e shumta për realizimin e kësaj ëndrre kombëtare. Sipas tij, Universiteti i Tetovës është fryt i shëndoshë dhe i qëndrueshëm, me vlerë i Marrëveshjes së Ohrit por me themele edhe më të hershme duke kujtuar edhe sakrificën e Abdulselam Eminit dhe shumë veprimtarëve të arsimit për të themeluar universitetin. “Nga perspektiva e sotme, kur ne po flasim për të arriturat e mëdha të përbashkëta si rezultat i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, są e pakuptimtë duket rezistenca dydekadëshe kundër të drejtave themelore për gjuhë, arsim, kulturë, identitet, barazi. Po shënojmë 20-vjetorin e marrëveshjes së Ohrit të dashur miq dhe po gëzohemi bashkë për të arriturat nga të cilat përfitoi vendi, përfituan qytetarët dhe më me rëndësi nga të gjitha, nuk humbi askush” tha z. Artan Grubi. Veç kësaj ai informoi dhe shprehu kënaqësinë se çdo institucion i themeluar nga ose edhe i ndërlidhur me Marrëveshjen e Ohrit po organizon manifestime për ta shënuar dhe kremtuar këtë arritje të përbashkët të të gjithë neve duke thënë se kjo e bën shumë të lumtur. Grubi shprehu mirënjohje për organizimin e kësaj ngjarjeje dhe vlerësim ndaj të gjithë punës së palodhshme që po e bën stafi akademik i Universitetit të Tetovës nën drejtimin e Rektorit Prof. Dr. Vullnet Ameti.

Profesori Dejvid L. Filpis njëherit edhe drejtor i programit për ndërtimin e paqes dhe të drejtat e njeriut në Institutin e studimit të të drejtave të njeriut në Universitetin Kolumbia në fjalën e tij u fokusua te katër shtyllat e Marrëveshjes të cilat pasqyronin qëllime kushtetuese dhe politike të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. “Ngjarjet në Maqedoni demonstruan një parim të zgjidhjes së konfliktit. Konflikti i armatosur shpesh është pjesë e një strategjie politike që synon krijimin e kushteve për negociata politike dhe marrjen e mbështetjes për ndërhyrjen ndërkombëtare jo përmes veprimeve ushtarake por përmes ndërmjetësimit. Ashtu si Nelson Mandela dhe Kongresi Kombëtar Afrikan (KKA) filluan një kryengritje të armatosur për të nxitur negociatat me Qeverinë e Afrikës së Jugut për t’i dhënë fund aparteidit, UÇK (Kombëtare) kërkoi një zgjidhje politike për pabarazinë e qytetarëve të përkatësisë etnike shqiptare në Maqedoni. 4 shtyllat e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit pasqyrojnë qëllimet kushtetuese dhe politike të UÇK-së (Kombëtare): Demokracia dhe të drejtat e njeriut; Çështjet kulturore; Përfaqësimi proporcional etnik në administratën publike dhe forcat e sigurisë si dhe Decentralizimi i qeverisjes lokale. Këto parime u vunë në praktikë përmes 15 ndryshimeve kushtetuese të miratuara nga parlamenti i Maqedonisë më 16 nëntor 2001” – u shpreh Prof. Dr. Dejvid L. Filips.

Ai në përmbyllje të fjalës së tij shtoi se  edhe Universiteti Kolumbia organizon festimin e përvjetorit të MKO-së më 13 gusht në bashkëpunim me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, duke shtuar se do të shqyrtojë mundësinë për krijimin e një Instituti MKO “Marrëveshja Kornizë e Ohrit” për zgjidhjen e konflikteve për të studiuar parimet e ndarjes së pushtetit dhe për të ndihmuar vendet tjera që përjetojnë luftë civile për të ndërtuar kapacitetin e tyre kombëtar në mënyrë që ata të përballen me sfida të ngjashme. “Instituti MKO parashikohet si një partneritet publik-privat që përfshin Qeverinë e Maqedonisë së Veriut dhe institucionet akademike siç është Universiteti i Tetovës. “Brendi MKO” është një burim që mund të eksportohet, duke e bërë Maqedoninë e Veriut një destinacion për studentët dhe praktikantët për zgjidhjen e konflikteve. Unë për herë të parë e vizitova Universitetin e Tetovës në vitin 1994 dhe takova studentë dhe pedagogë në një bodrum të ftohtë me pak nxehtësi dhe energji elektrike. Jam i nderuar që e vizitoj Universitetin e ri të Tetovës sot, edhe pse vetëm virtualisht. Unë pres që të bashkëpunojmë në të ardhmen me ju, si dhe miqtë dhe partnerët e tjerë në Maqedoninë e Veriut” – shoti mes tjerash Prof. Dr. Dejvid L Filips nga Universiteti Kolumbia.

Prof. Dr. Arsim Bajrami nga Universiteti i Prishtinës në këtë panel paraqiti disa teza duke filluar nga shpërbërja e RSFJ-së dhe roli i shqiptarëve në pavarësinë e Maqedonisë, mbështetjen që shqiptarët i kanë dhënë referendumit për pavarësi, konstruktiviteti që kanë treguar në gjetjen e një zgjidhjeje me pjesëmarrjen në zgjedhje dhe participimin në qeveri duke ofruar zgjidhje paqësore. Ai ndër tjera shtoi se diskriminimi kushtetues ka qenë shkak i pakënaqësive  dhe ka ardhur deri tek Lufta e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe kauza e drejtë e saj. Qëllimi politik i luftës së UCK-së, përkrahja ndërkombëtare dhe uniteti politik i shqiptarëve  bënë që të arrihet deri tek Marrëveshja e Ohrit me qëllim krijimin e paqes, bashkëjetesë në barazi dhe trajtim shtetformues bazuar në reformat kushtetuese që i garanton marrëveshja. Prof. Dr. Arsim Bajrami mes tjerash u fokusua edhe tek destrukcioni i zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit dhe gabimet e spektrit politik shqiptar në moszbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit duke shtuar se mosuniteti politik dhe krijimi i opozitës brendashqiptare e kanë lënë mangët zbatimin e tërësishëm të kësaj marrëveshjeje.

Prorektori për bashkëpunim ndërkombëtar i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Shefik Shehu, tha se ky panel kushtuar Marrëveshjes Kornizë të Ohrit është më e pakta që organizon Universiteti i Tetovës për të shënuar këtë përvjetor pasi që ne jemi përjetësisht mirënjohës për sakrificën e gjithsecilit që ka kontribuar për mëkëmbjen e kësaj shtëpie që sot numëron mbi 10 mijë studentë dhe është partner serioz i shumë rrjeteve botërore të arsimit të lartë. “Mëkëmbja institucionale u realizua vetëm pas nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit. Për 10 vjet rresht, nga vitit 1994 e deri më vitin 2004 kjo shtëpi u njollos pafundësisht nga keqdashësit dhe u tentua në vazhdimësi rrënimi i saj. Më lejoni që në cilësinë e pedagogut të bëj një retrospektivë në sistemin politik që ndërtoi dhe rrjedhimisht e ndryshoi Marrëveshjen Kornizë të Ohrit.  Për të kuptuar më mirë efektet e zbatimit të kësaj marrëveshjeje do të tentoj të jap disa përgjigje për shqetësimet që kishte pala maqedonase, si frika ndaj ndarjes dhe humbjes së shtetit, frika ndaj humbjes së pushtetit real, frika ndaj deficitit demokratik, frika për dobësimin e shtetit përmes procesit të decentralizimit si dhe institucionalizimi i grupit etnik si defekt i konsocionalizmit, humbja e të drejtës eksluzive të menaxhimit me të mirat publike. Sistemi politik që ndërtoi Marrëveshja e Ohrit u bazua në parimet e të ashtuquajturës demokraci konsocionale pjesëmarrja në shtet përmes pjesëmarrjes në pushtet” – kështu deklaroi Prof. Dr. Shefik Shehu, prorektor për bashkëpunim ndërkombëtar i UT-së.

Dekani i Fakultetit Filozofik në këtë panel bëri një vlerësim të përgjithshëm mbi implementimin e kësaj marrëveshjeje. Ai tha se jetësimi i kësaj marrëveshjeje në disa periudha ka pasur edhe zvarritje. Sipas tij dialogu dhe procesi i iniciativës duhet të jetë temë e vazhdueshme e debatit politik, në mënyrë që të sigurohet transparencë minimale, të paktën për nevojat e institucioneve kërkimore dhe shërbyese. “Mund të thuhet se papunësia është bërë një problem serioz, sepse tejkalon nivelin e lejueshëm kritik. Papunësia vazhdon të mbetet një segment tejet i ndjeshëm, që mund të dëmtojë baraspeshën etnike në shtet. Akoma në mesin e popullatës shqiptare ka shkallë të ulët të zhvillimit ekonomik. Nevoja për analiza të vazhdueshme mbetet të ndjekë trendin në sektorë ekonomikë e shoqërorë. Vëllimi, struktura dhe tendenca e shpenzimeve publike gjithashtu tregon pabarazi të konsiderueshme të shpenzimeve të caktuara në rajone, programe dhe projekte me prefiksin shqiptar. Andaj, vendimet publike për këto çështje duhet t’i nënshtrohen mekanizmit të koncensusit në nivele institucionale. Shkollimi dhe aftësimi i vazhdueshëm profesional duhet përshtatur nevojave dhe praktikave të kërkesave të ekonomisë së tregut, kërkesave për vende pune të bazuara në aftësimin profesional, konform teknologjive moderne. Qasje objektive institucionale në informacione të karakterit të jetës publike, të bazuara në burime të sakta e transparence, me mundësi të qasjes kritike të argumentuara nga secili subjekt, institucion apo qytetarë të zakonshëm. Duhet vazhduar me procesin e decentralizimit, duke u mundësua komunave që vet të bëjnë planifikimet e zonave të bizneseve, fermave dhe shërbimeve tjera. Është e nevojshme të ripërcaktohen territoret e komunave dhe zmadhuar numrin e komunave në mënyrë që të krijohen komuna funksionale me potencial të mjaftueshëm financiar nga fondet e ndryshme, me qëllim që qytetari i zakonshëm të jetë sa më afër vendosjes për interesat e tij” – vlerësoi  Dekani i Fakultetit Filozofik Prof. Dr. Ibish Kadriu.

Ndërsa profesoresha universitare Sheruze Ballazhi Osmani shfaqi qëndrimet e saj se si ka kontribuar Marrëveshja e Ohrit në zhvillimin e raporteve ndërgrupore mes dy etnive më të mëdha në jetën e përditshme të qytetarëve dhe raporteve mes tyre. “Implementimi i Marrëveshjes së Ohrit ka qenë sfidë në vete sa i përket zbatimit të saj. Fillimisht për shkak të diskrepancës në perceptimin ndaj saj. Nga njëra anë nga komuniteti maqedonas, në përgjithësi është perceptuar si rrezik i identitetit dhe sigurisë ekonomike të grupit dominant në Maqedoninë e Veriut, kurse nga ana tjetër, shqiptarët perceptojnë se kanë fituar të drejtat të cilat u takojnë. Dallimet në perceptimet e raporteve ndërgupore janë reflektuar edhe në atë që grupet nuk kanë besim te njëri-tjetri dhe kanë qëndrime të ndryshme në ndërtimin e vlerave të përbashkëta, kurse në mjediset të cilat janë të përziera nuk janë të gatshëm të bashkëpunojnë në të gjitha nivelet e funksionimit. Kjo është treguar në hulumtime nëpërmjet atribuimeve që i përshkruajnë qytetarët e të dy grupeve njëri-tjetrit. Deri sa maqedonasit pas 2001-shit i perceptojnë shqiptarët si të fuqishëm, të këqinj, agresivë, tinëzarë dhe aktivë, shqiptarët u atribuojnë maqedonasve se janë të këqinj, të pafuqishëm dhe kundërshtarë pasiv, me të cilët e kanë lehtë të dalin në qosh. Këto atribuime të të dyja palëve për njëra-tjetrën vetëm na tregojnë se oaza e paqes nuk është e lehtë të ndërtohet” – potencoi ndër të tjera Doc.Dr. Sheruze Osmani Ballazhi.

Në përfundim Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Vullnet Ameti, panelistëve u ndau nga një certifikatë për pjesëmarrjen e tyre në këtë panel diskutimi kushtuar 20-vjetorit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit. Këtë panel me prezencën e tyre e nderuan edhe shumë personalitete të jetës publike, akademike, politike dhe shoqërore të vendit tonë.

            Zyra për Informim