Universiteti i Tetovës, në bashkëpunim me kompaninë amerikane të librarive, EBSCO, për stafin, studentët e ciklit të dytë dhe të tretë, organizoi trajnim online, me temë: “Teknikat e kërkimit të literaturës dhe këshilla praktike”.
Ky trajnim kishte karakter informativ, ku Urszula Nowicka – menaxhere për marrëdhënie me klientë e EBSCO-s, shpalosi metodat e kërkimit të literaturave të ndryshme dhe mënyrat më efikase për të arritur deri tek ato brenda databazave të EBSCOhost.
Trajnimi u fokusua në metodologjinë e gjetjes së artikujve të recensuar me interes online, përkatësisht si ta shënojmë një kërkim në EBSCO; si t’i kufizojmë rezultatet dhe të shohim informacionet më të rëndësishme; si t’i shkarkojmë, printojmë dhe ruajmë artikujt në google drive; si të eksportohen të dhëna të gatshme bibliografike në formate të ndryshme; si të krijojmë alarme kërkimi dhe publikimi, etj.
EBSCO është kompani e njohur amerikane, që ka një numër të madh të librarive botërore, në gjuhë të ndryshme, të ndara në disa pjesë nga ekonomia, drejtësia, gazetaria, teknologjia, shkencat ekzakte, analiza të ndryshme, politika, intervista dhe video të ndryshme. Menaxherja, Urszula Nowicka, e prezantoi metodën më efikase të kërkimit, përmes përzgjedhjeve të ndryshme, për të gjetur pikërisht literaturën specifike, duke përfituar në kohë dhe në produktivitet.
Ky prezantim përfundoi me një bashkëbisedim mes prezantueses dhe të pranishmëve, përmes pyetjeve dhe përgjigjeve rreth trajnimit të sotëm.
Organizimet e këtilla janë të dobishme, pasi i shërbejnë procesit edukativ – arsimor. Shkëmbimi i ideve, ligjëratat e ndryshme, marrja e informacioneve nga kompanitë prestigjioze ndërkombëtare na ndihmojnë që të përparojmë dhe përfitojmë nga përvoja e tyre shumëvjeçare.
Zyra për Informim