Fakulteti i Kulturës Fizike i Universitetit të Tetovës dhe Fakulteti i Kulturës Fizike dhe Sportit i Kolegjit AAB nga Prishtina në sallën e sporteve të Universitetit të Tetovës organizuan disa aktivitete sportive me karakter miqësor. Me këtë rast studentët zhvilluan lojëra sportive në futboll të vogël, basketboll dhe një ndeshje në volejboll për femra.

Dekani i Fakultetit të Kulturës Fizike i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Ajri Ziba, tha se ky bashkëpunim mes dy fakulteteve tona u realizua në kuadër të nënshkrimit të marrëveshjes për bashkëpunim mes Universitetit të Tetovës dhe Kolegjit AAB, Prishtinë. “Ky organizim u iniciua nga dy dekanatet e fakulteteve të kulturës fizike dhe parasheh organizimin e disa lojërave sportive me karakter miqësor, me qëllim që studentët e Universitetit të Tetovës dhe studentët e Kolegjit AAB të njihen mes veti. Fillimisht u zhvillua një ndeshje në volejboll për femra, më pas u zhvillua edhe nga një ndeshje në basketboll dhe futboll të vogël për meshkuj. Ky organizim është i pari menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes për bashkëpunim mes UT-së dhe Kolegjit AAB dhe shpresojmë se ky bashkëpunim në të ardhmen do të japë rezultate të mira në të gjitha njësitë akademike duke materializuar aktivitete të ndryshme me karakter sportiv, arsimor, shkencor etj.” – tha Prof. Dr. Ajri Ziba, dekan i Fakultetit të Kulturës Fizike i Universitetit të Tetovës.

Ndërsa dekani i Fakultetit të Kulturës Fizike dhe Sportit nga Kolegji AAB, Prof. Dr. Fatmir Pireva, u shpreh mjaft i kënaqur nga ky bashkëpunim, duke vlerësuar lartë organizimin dhe mikpritjen që Universiteti i Tetovës e bëri për ta. “Është kënaqësi që jemi sot në Tetovë, gjegjësisht në Universitetin e Tetovës. Dy fakultetet tona kanë bashkëpunuar edhe më parë, por kënaqësia është edhe më e madhe pasi që sot ne jemi këtu për të filluar një bashkëpunim të ri mes UT-së dhe Kolegjit AAB, që i përfshin të gjitha njësitë akademike. Ky bashkëpunim sot u finalizua zyrtarisht edhe në letër. Në shenjë të kësaj marrëveshjeje ka qenë ide e përbashkët që fillimisht t’i realizojmë disa aktivitete sportive me karakter jogarues. Dua të falënderoj drejtuesit e Universitetit të Tetovës për pritjen që na kanë bërë sot, por ajo që dua të them është se vazhdimisht gjatë qëndrimit tonë në Tetovë nga bashkëpunimet që kemi pasur si dhe organizimet e konferencave, seminareve që janë bërë ne gjithmonë jemi ndjerë shumë rehat dhe jemi befasuar nga mikpritja e këtij Universiteti” – theksoi Prof. Dr. Fatmir Pireva.

Lojërat sportive të studentëve të kulturës fizike u ndoqën nga një numër i madh i të pranishmëve në sallë, në mesin e të cilëve ishin edhe Rektori UT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti dhe Rektori i Kolegjit AAB, Prof. Ass. Dr. Lulzim Tafa, dekanë, senatorë, profesorë dhe studentë.