Universiteti i Tetovës, në bashkëpunim me Northern Ilinois University nga Çikagoja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do të hapin programin e ri studimor në studimet e ciklit të dytë, master, për biznes administratë. Ky program i ri, i cili do të realizohet në bashkëpunim mes Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Tetovës dhe Fakultetit të Biznes Administratës në kuadër të Northern Ilinois University, është akredituar nga Këshilli për akreditim dhe evaluim të arsimit të lartë në Republikën e Maqedonisë.Më 17 maj 2018, Këshilli për akreditim dhe evaluim të arsimit të lartë solli vendim: “për akreditimin e programit studimor për fitimin e diplomës së përbashkët në ciklin e dytë të studimeve universitare në biznes administratë, studimeve njëvjeçare më 60 kredi (ECTS), në Fakultetin Ekonomik në Tetovë dhe Fakultetin e Biznes Administratës” në Northern Illinois University, me seli në Çikago të SHBA-ve. Pas përfundimit të studimeve studenti përvetëson 60 ECTS dhe merr titullin magjistër i shkencave ekonomike, drejtimi Biznes administratë” shkruhet në vendimin e sjellë nga ky këshill.

Akreditimi i këtij programi studimor është për periudhën prej pesë viteve akademike, duke filluar nga viti akademik 2018/2019 e deri në vitin akademik 2023/2024.