Më 30 mars 2018, Universiteti i Tetovës dhe Universiteti i Mjekësisë nga Tirana nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi në fushën e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor.

Marrëveshja u firmos nga Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti dhe Rektori i Universitetit të Mjekësisë nga Tirana, Prof. Dr. Arben Gjata.

Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, theksoi se me këtë bashkëpunim të dy universitetet kanë rënë dakord të bashkëpunojnë për nxitjen e shkëmbimit të shumanshëm, në funksion të zhvillimit institucional. “Bashkëpunimi ndërmjet dy universiteteve, gjegjësisht Universitetit të Tetovës dhe Universitetit të Mjekësisë nga Tirana do të përfshijë: Shkëmbimin e personelit akademik për procesin mësimor; Shkëmbimin e pedagogëve, të kërkuesve dhe të studentëve në kuadrin e veprimtarisë kërkimore-shkencore; Nxitjen, mbështetjen dhe realizimin e projekteve të përbashkëta kërkimore dhe formuese; Nxitjen, mbështetjen dhe realizimin e veprimtarive të tjera shkencore (konferenca, seminare e botime në fusha me interes të dyanshëm); Shkëmbimin e literaturës shkencore; Shkëmbimin e përvojës lidhur me menaxhimin institucional”- tha Rektori i UT-së Prof. Dr. Vullnet Ameti

Sipas marrëveshjes, të dy universitetet bien dakord që realizimi i aktiviteteve të kryhet në varësi të burimeve dhe potencialit të disponueshëm nga secili institucion.