Në Universitetin e Tetovës, sot u shënua 3 Dhjetori – Dita ndërkombëtare e personave me nevoja të veçanta. Ky manifestim tani më është bërë tradicional dhe tejet i veçantë për studentët dhe profesorët e Katedrës për Edukim Special dhe Rehabilitim të Fakultetit Pedagogjik të Universitetit tonë. Ata, përmes aktiviteteve të ndryshme në bashkëpunim me paralelen speciale të nxënësve të shkollës fillore “Liria” në Tetovë, përcjellin mesazhe të ndryshme për informimin dhe sensibilizimin e opinionit në vend dhe rajon, për ekzistencën dhe mënyrën e trajtimit të fëmijëve me nevoja të veçanta.
Prorektori për Arsim i UT-së, Prof. Dr. Reshat Qahili tha se Universiteti ynë është kujdesur që t’i kushtojë vëmendjen e duhur edhe kësaj kategorie të shoqërisë, e cila meriton respektin dhe trajtimin e nevojshëm nga të gjithë ne. “Shënimi i kësaj date ka për qëllim që të promovojë mirëkuptimin, humanitetin dhe të sensibilizojë opinionin e gjerë për të drejtat që duhet t’i gëzojnë edhe këta persona me nevoja të posaçme, si dhe integrimin e tyre në të gjitha fushat e jetës, si në sferën sociale, arsimore, ekonomike dhe kulturore. Sikurse e dimë të gjithë, interesimi për zgjidhjen jo vetëm të problemeve ekzistenciale, por edhe të problemeve esenciale të personave me aftësi të kufizuar, në gjithë botën fillon të manifestohet dukshëm në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar dhe në këtë shekull. Kjo gatishmëri dëshmohet me organizimin e debateve shkencore, shtimin e angazhimeve financiare, përhapjen e rrjeteve të institucioneve të ndryshme për personat me aftësi të kufizuara, si dhe me angazhimin e kuadrove në fushën e edukimit dhe rehabilitimit”, theksoi Prof. Dr. Reshat Qahili.
Dekani i Fakultetit Pedagogjik, Prof. Dr. Fatbi Osmani u shpreh se fakulteti që ai drejton, përmes Katedrës për Edukim Special dhe Rehabilitim është në mbështetje të plotë të personave që janë ndryshe nga ne, dhe gjithmonë në përkrahjen dhe integrimin e tyre të plotë në shoqëri. “Kjo kategori individësh ka nevojë për më shumë sensibilizim, ka më shumë arsye dhe nevojë të trasojë rrugë për hapa të mëtejshëm, ka nevojë që të konstatojë sa shkolla e sodit është e përgatitur të ballafaqohet me sfidat e edukimit të personave me nevoja të veçanta. Fakulteti Pedagogjik, nëpërmes programit studimor të Edukimit Special dhe Rehabilitimit bënë edukimin e kuadrit të mirëfilltë profesional në ballafaqim me të gjitha specifikat e personave me nevoja të veçanta. Në këtë program studimor deri më tani kanë diplomuar mbi 70 studentë, të cilët profesionin e tyre do ta ushtrojnë në mënyrë profesionale dhe humane”, tha Prof. Dr. Fatbi Osmani.
Në këtë manifestim, fjalë rasti mbajti edhe prodekani për shkencë i Fakultetit Pedagogjik, Prof. Dr. Buniamin Memedi. Ai në fjalën e tij iu referua rëndësisë që ka Dita ndërkombëtare e personave me nevoja të veçanta. Sipas tij, shënimi i 3 Dhjetorit ka për qëllim të promovojë kuptimin e problemeve të pengesave dhe të mobilizojë përkrahjen për dinjitet, të drejtat dhe mirëqenien e tyre sociale. “Krijimi i kuadrit të mirëfilltë, i cili merret në mënyrë profesionale me trajtimin, institucionalizimin, qasjen integruese, diagnostikimin dhe rehabilitimin e këtyre personave ka qenë dhe është një ndër prioritetet e fuqishme të katedrës dhe të vetë Universitetit tonë. Me sjelljen e ligjit të ri për arsim fillor, që u soll kohë me parën, ne e përshëndesim vendosjen e inkluzionit si kategori ligjore, që është një e arritur e madhe për nxënësit me nevoja të veçanta dhe familjet e tyre, por pa harruar fuqishëm të theksojmë se, edhe më tutje duhet të ekzistojnë edhe paralelet speciale, ose qendrat burimore dhe mbështetëse, siç theksohet në ligj, ku do t’i edukonin, arsimonin, trajtonin dhe rehabilitonin nxënësit me nevoja të veçanta, të cilëve sot mësimdhënësit tanë nuk e kanë atë përgatitje dhe kompetencë”, u shpreh mes tjerash Prof. Dr. Buniamin Memedi.
Ky manifestim u përmbyll me një program të përgatitur nga nxënësit e paraleles speciale të Shkollës fillore “Liria” dhe studentët e Katedrës për Edukim Special dhe Rehabilitim. Po ashtu, në shenjë falënderimi dhe mirënjohjeje për nënat e fëmijëve me nevoja të veçanta, Katedra për Edukim Special dhe Rehabilitim këtë vit u ndau mirënjohje për pjesëmarrje në këtë ngjarje.

Zyra për Informim