Në nderim të sakrificës, vuajtjeve dhe rezistencës së veprimtarëve shqiptarë në vendin tonë e më gjerë, në shenjë përkujtimi për veprën patriotike të organizatorëve dhe pjesëmarrësve të demonstratave të flamurit të vitit 1968 në Tetovë, Universiteti i Tetovës në vitin jubilar, 50 – vjetorin e tyre, sot e organizoi Simpoziumin shkencor, me temë: “1968-ta, sfidë e identitetit kombëtar të shqiptarëve në Maqedoni”. Në hapjen zyrtare të punimeve të simpoziumit, Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve tha se të marrësh pjesë në këtë ngjarje historike është privilegj, aq më tepër kur mes nesh janë të pranishëm personalitete të dëshmuara që kanë ardhur nga të gjitha trojet tona etnike për shënimin e kësaj date të rëndësishme kushtuar 50-vjetorit të demonstratave të flamurit në Tetovë. “Historia na rrëfen se qëndresa e kombit tonë ndaj përpjekjeve të armiqve pushtues, shtypës e gjenocidal, përfshin data e vite të ndryshme. Njëra prej këtyre datave padyshim është edhe 22 dhjetori i vitit 1968, data e demonstratave të flamurit në qytetin Tetovës. Demonstratat e vitit 1968 mbeten një ngjarje e shënuar në historinë politike të shqiptarëve në Maqedoni. Kjo ngjarje realisht shënon reagimin më dinjitoz ndaj një sistemi, i cili në esencë ishte kundër qenies shqiptare, kundër simbolikës që identifikon shqiptarët si komb me identitet dhe me një histori të bujshme. Pikërisht në këtë vit, tetovarët demonstruan vullnetin e tyre kombëtar dhe afirmimin e identitetit të tyre historik dhe kulturor, duke shënuar kështu zgjimin e tyre, një zgjim që do të vijë nëpërmjet shumë figurave intelektuale, por edhe të rinisë së asaj kohe, e cila pa hezitim u vendos në mbrojtje të dinjitetit kombëtar, në mbrojtje të flamurit, të shpaluar nga veprimtarët e asaj kohe. Pesëdhjetë vjet pas demonstratave në Tetovë besojmë se është krijuar distanca historike që këtë ngjarje ta shohim nga një kontekst më i gjerë, duke u shërbyer me shënime të ndryshme në mediet e kohës dhe me dokumentet e ndryshme arkivore. Sipas studiuesve, demonstratat shpërthyen pas një akumulimi shumëvjeçar të revoltës kundër regjimit të dhunshëm jugosllav në raport me shqiptarët. Trazirat nuk ishin të rastësishme”, theksoi Prof. Dr. Vullnet Ameti.
Ai, më tej shtoi se Tetovës asnjëherë nuk i ka munguar fryma kombëtare dhe njihet si qendër rezistuese ndaj ideve pansllaviste. “Kujtesa kolektive kishte depozituar kujtime të hidhura prej një periudhe paraprake, veçanërisht prej viteve të para të regjimit komunist, kur shumë shqiptarë ishin ekzekutuar pa gjyq, shumë të tjerë ishin dënuar me burg të rëndë ose ishin detyruar të largoheshin dhe të kërkonin azil politik në shtete të ndryshme. Universiteti ynë, në këtë vit jubilar, është përpjekur t’i kushtojë vëmendjen e duhur kësaj ngjarje historike, ndaj përmes organizimit të këtij simpoziumi dhe me kontributet shkencore që do t’i paraqesin studiuesit e njohur besojmë të nxjerrim në pah të dhëna të panjohura deri më tani për opinion e gjerë. Ne sot, përtej shënimit të kësaj date, përulemi me nderim para veprës, sakrificës së organizatorëve, para vuajtjeve të të burgosurve shqiptarë, u shprehim nga zemra mirënjohjen e përjetshme dhe falënderimin e thellë për vendosmërinë dhe misionin titanik në shërbim të avancimit të kauzës sonë kombëtare”, u shpreh mes tjerash Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti.
Dekani i Fakultetit Filozofik i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Ibish Kadriu, demonstratat e Tetovës të cilat shpërthyen me 22 dhjetor të vitit 1968, i vlerësoi si një prej ngjarjeve më të shënuara të rezistencës së shqiptarëve, të cilat ishin në mbrojtje të flamurit kombëtar nga dhunimi që e kishin kurdisur dhe provokuar njerëz të sistemit të kaluar. “Këto demonstrata në Tetovë që ishin manifestim më i hapur i revoltës shqiptare, u shtypën nga regjimi i atëhershëm, me vrasje, dhunë, burgosje, persekutime masive, por nuk mundi të thyejë vullnetin rezistues të shqiptarëve. Fytyra e shëmtuar e regjimit të kaluar turpërisht u demonstrua në Tetovë edhe më 17 dhjetor 1994 kur u vunë themelet e Universitetit të Tetovës. Ka mbetur histori dinjiteti e rezistencës shqiptare themelimi i kësaj vatre të dijes”, tha Prof. Dr. Ibish Kadriu.
Koordinatori i këtij simpoziumi shkencor, Prof. Dr. Musa Musai, tha se ky eveniment me karakter shkencor – përkujtimor, organizohet mbi aurorën e një kontributi të një plejade njerëzish që kanë sakrifikuar për kombin shqiptar. “Kjo plejadë zgjodhi që rehatinë personale ta zëvendësonte me brenga kolektive, të kalojë nga synimi i të jetuarit për familjet e tyre drejt një jetese për familjen e quajtur komb; ndaj dhe ne sot, ajo që më së paku mund të bëjmë është që ta kujtojmë veprën madhore të asaj gjenerate e cila ngriti shëmbëlltyrën e “demonstrimit” të forcës së vullnetit, sakrificës individuale, flijimit për komb. Në këtë simpozium, të titulluar: “1968’ta sfidë e identitetit kombëtar të shqiptarëve në Maqedoni”, të pranishëm kemi 20 studiues eminentë që do të kontribuojnë në hedhjen dritë mbi këtë ngjarje historike për shqiptarët në Maqedoni”, deklaroi Prof. Dr. Musa Musai.
Referatin tematik kushtuar demonstratave të vitit 1968 e paraqiti profesori Fadil Lushi, i cili këto demonstrata i karakterizoi me katër palë histori. “Historia e parë është historia e lëvdatës, këtë histori e ndërtuan gjithë pjesëmarrësit e asaj kohe, çuna, intelektualë, bujq, kasabali dhe katundarë fisnikë, me në krye ikonën e ndërgjegjes tetovare, Axhën Memetriza Murtezani, me nofkën Gega. Historia e dytë e këtyre demonstratave, historia e akuzës, akuzën e ndërtuan pushtetmbajtësit e asaj kohe, dhe dënimin kapital që e mori asaj kohe ishte prapë Axha Memetriza Murtezani – Gega. Historia e tretë është historia e harresës, historinë e harresës e shkruam ne, vetë pjesëmarrësit dhe ca historianë që nuk guxonin aso kohe të thonin asnjë llaf për këto mesele, mbasi edhe kishin të drejtë, ku ta di njeriu, dhe historia e katërt është historia e kolaboracionistëve shqiptarë, pasi përfunduan demonstratat ato me kënaqësi, ashiqare pranuan të bashkëpunojnë me organet e pushtetit dhe ndjekjes së shqiptarëve. Që unë ta përfundoj hisen time, do ta parafrazoj edhe një thënie për një shprehje të lashtë: Të bësh një kurorë prej dafine qenka punë e lehtë, por ta meritosh një të tillë kurorë prej dafine është shumë e vështirë. Dhe, sikur unë të kem sot një kurorë prej dafine do t’ia dhuroja këtij tempulli që rrezaton dritë, dije, paqe dhe mbi të gjitha rrezaton dashuri, në veçanti këtë kurorë prej dafine në veçanti do t’ia dhuroja rojtarit të kësaj kështjelle të pamposhtur, rektorit tuaj të respektuar, mikut tim Vullnet Ametit dhe stafit të tij të nderuar që gjetën guximin të organizojnë një simpozium shkencor dedikuar të gjithë njerëzve të cilët motin 1968, e kërkonin lirinë e vonuar të këtij vatani të zaptuar. Për fund, ndoshta do ta sajojë, por ja më erdhi në fiqir, dikur moti këtu kur përfundonin punët në këtë godinë takova një usta prej marangozit, një usta prej zdrukthëtarit, ishte duke montuar dyert e fundit në këtë godinë dhe iu drejtova: usta i nderuar përse këto dyer nuk kanë çelësa, dhe ai ma ktheu: këto dyer nuk kanë nevojë për çelësa për arsye se këto dyer kurrën e kurrës nuk do të mbyllen, prandaj, ju pedagogë të dashur, ju që keni goca dhe çuna, ju studentë të respektuar, bëni kujdes që këto dyer asnjëherë të mos mbyllen”, deklaroi z. Fadil Lushi.
Në këtë aktivitet, Prof. Dr. Zeqirija Rexhepi e lexoi telegram – urimin e Organizatës Panshqiptare “Vatra” nga Amerika, në të cilin thuhej: “Atdhetarizmi shqiptar kurrë nuk i ka shkaktuar dëm atij që jeton me ne, apo pranë nesh, por ka pasur një rrugëtim dhe synim, që edhe shqiptarët si popull evropian të mos dallohen nga të tjerët. Kjo u pa edhe më 22 dhjetor 1968, kur shqiptarët dolën në rrugë, fillimisht në mënyrë spontane, e pastaj të organizuar, për të mbrojtur dinjitetin e tyre, flamurin, të drejtën e tyre për shkollim, barazi në punësim dhe çdo gjë që i takon një populli evropian. Ju keni shumë historianë që i dinë më mirë detajet e këtyre demonstratave dhe unë jam i bindur se Universiteti i Tetovës ka potencial të arrijë deri tek e vërteta. Federata jonë dëshiron që, duke u përdorur metodat e duhura të hulumtimeve shkencore të historisë, të zbardhet e gjithë kjo ngjarje, jo mirë e dokumentuar, e cila do bashkëpunim edhe me universitetet tjera të Ballkanit”, shkruhej në telegramin e urimit të Organizatës Panshqiptare “Vatra” nga Amerika.
Për nder të veprimtarisë kombëtare, Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti ndau disa dhurata me portretin e themeluesit – Rektorit të parë e historik të UT-së, Prof. Dr. Fadil Sulejmanit, për veprimtarët, Fadil Lushin, Shpëtim Pollozhanin, Hydajet Hysenin dhe Çun Lajçin. Po ashtu, Rektori, me rastin e shënimit të 50-vjetorit të demonstratave të flamurit, pjesëmarrësve dhe organizatorëve u ndau mirënjohje për kontributin kombëtar në organizimin dhe përkrahjen e demonstratave të vitit 1968 në Tetovë.
Hapja solemne e këtij simpoziumi u përmbyll me një recital nga artisti i popullit, Çun Lajçi dhe interpretimi i këngës “Fryn murrlani me stuhi” nga studentët e Fakultetit të Arteve të Universitetit të Tetovës. Në këtë simpozium shkencor me punimet e tyre morën pjesë studiues të njohur nga vendi ynë, Republika e Kosovës, Republika e Shqipërisë dhe nga trevat tjera etnike shqiptare.