Me një akademi solemne, Universiteti i Tetovës sot e shënoi 7 Marsin, Ditën e arsimit dhe shkollës shqipe, të njohur si Dita e Mësuesit. Në këtë akademi ishin të pranishëm Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, prorektorët, senatorë, dekanë, profesorë dhe studentë.

Në emër të Universitetit të Tetovës dhe Rektorit, Prof. Dr. Vullnet Ameti, të pranishmëve me fjalë rasti iu drejtua Dekani i Fakultetit Pedagogjik, Prof. Dr. Fadbi Osmani, i cili tha se Universiteti i Tetovës në vazhdimësi shënon data të rëndësishme kombëtare dhe ndërkombëtare. “Sot ne e shënojmë festën tonë kombëtare të madhe dhe shumë të rëndësishme mbarëkombëtare- Ditën e Mësuesit. Mësuesit shqiptarë, që në mesjetë e më pas, iu përkushtuan brezave të rinj të popullit, kombit, punuan për gjuhën e shkollën shqipe, duke e përshkuar këtë rrugë të gjatë e të vështirë me mundime të mëdha duke përballuar lloj-lloj presionesh e sakrificash pafund. Le të kujtojmë se ngjashëm, me shumë mund dhe sakrifica u themelua edhe ky tempull i dijes-Universiteti i Tetovës. U themelua nga populli dhe në shërbim të popullit. Rreth e rrotull këtij tempulli kanë fryrë erëra të fuqishme, por lisi ngeli i paluhatur dhe jo vetëm që nuk u luhat, por u bë akoma më i fuqishëm” – tha Prof. Dr. Fadbi Osmani.

Referatin qendror për nder të kësaj feste të rëndësishme për shqiptarët e paraqiti Mr. Sc. Afërdita Iljazi. Ajo tha se rrënjët e edukatës dhe të arsimit tonë kombëtar i gjejmë që në lashtësinë e hershme, megjithatë në historinë e zhvillimit të shkollave shqipe dhe të arsimit tonë kombëtar si pikënisje merret Mësonjëtorja e Korçës, që filloi të punojë mu në këtë ditë të vitit 1887 me mësuesin dhe drejtorin e saj Pandeli Sotiri. “Sot, 7 marsi Dita e Mësuesit shënohet si një ngjarje me rëndësi kulturore në të gjitha trojet tona. Në këtë ditë, të gjithë së bashku kujtojmë mësuesit tanë të parë që na mësuan shkronjat, na mësuan si ta duam dhe ta respektojmë atdheun. Na njohën me poezitë e bukura të autorëve tanë të mrekullueshëm, fjalët e vargjet e të cilëve mbetën të ngulitura thellë në mendjet tona. I admirojmë për dashurinë e respektin, për mënyrën se si silleshin me ne për të na mësuar e kritikuar, me metodën dashamirëse kur ne bënim gabime” – theksoi Mr. Sc. Afërdita Iljazi

Kjo akademi u përmbyll me një program artistik të përgatitur nga studentët e Fakultetit të Arteve dhe studentët e Fakultetit Filologjik.