Fakulteti i Shkencave të Mjekësisë i Universitetit të Tetovës, në bashkëpunim me Parlamentin Studentor dhe Grupin Shkencor të Studentëve e shënuan Ditën Botërore të Veshkave. Për nder të kësaj dite, profesori i Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë, Prof. Dr. Lutfi Zylbeari, mbajti një ligjëratë kushtuar sëmundjeve të veshkave me temë “Veshkat dhe shëndeti i grave, përfshirja, vlera, fuqizimi”.

Fillimisht të pranishmit në auditor i përshëndeti me fjalë rasti Dekani i Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë, Prof. Dr. Nasir Behxheti, i cili tha se shënimi i kësaj dite ka për qëllim ta sensibilizojë opinionin dhe popullatën në përgjithësi për ndërlidhjen e sëmundjeve të veshkave me disfatat që ato përcjellin te të sëmurit e në veçanti te gjinia femërore gjatë shtatzënisë.

Kryetari i Shoqatës së Mjekëve Shqiptarë në Maqedoni, Prof. Dr. Nevzat Elezi, theksoi se sipas të dhënave faktike nga Organizata Botërore e Shëndetësisë vërehet se veshkat dhe gjinia femërore kanë një korrelacion të ngushtë spastik ndërmjet tyre.

Gjatë prezantimit të ligjëratës tematike, nefrologu Prof. Dr. Lutfi Zylbeari, tha se fushata globale këtë vit është e fokusuar mbi rëndësinë dhe ndikimin e sëmundjeve të veshkave te gjinia femërore. “Jo rastësisht motoja e këtij viti është *Veshkat dhe shëndeti i grave*. Fushata i kushtohet ngritjes së vetëdijes globale për rëndësinë e sëmundjeve te gjinia femërore. Sipas të dhënave të fundit që i posedoj unë si nefrolog, në Republikën e Maqedonisë afër 1700, plus – minus 50 pacientë, u janë nënshtruar modaliteteve të ndryshme të hemodializës duke filluar nga hemodializa bikarbonate, peritoneale, e shtëpisë etj, ndërsa afër 340 pacientë janë me veshkë të transplantuar. Mjerisht them se dy vitet e fundit transplantimi në Maqedoni ka ngecur për shkaqe objektive, ndërsa para dhjetë viteve transplantimi ka qenë më i lartë. Atëherë ishte i përhapur edhe transplantimi kadaverik, mirëpo viteve të fundit ky lloj transplantimi është zbehur për t’i lënë vendin transplantimit nga ana e familjarëve” – tha Prof. Dr. Lutfi Zylbeari.

Dita Botërore e Veshkave, si zakonisht, festohet çdo vit. Kësaj radhe aktivitetet për shënimin e kësaj date kanë filluar që nga 8 Marsi, Dita Ndërkombëtare e Gruas, sepse konsiston edhe me sëmundjet e gjinisë femërore. Dita Botërore e Veshkave është caktuar që të festohet të enjten e dytë të muajt mars dhe festohet në mbarë botën nga Asociacioni Botëror për Nefrologji, Dializë dhe Transplantim të Organeve Artificiale si dhe Asociacioni Evropian dhe Bantozë.