Universiteti i Tetovës, përmes një akademie solemne e shënoi vitin jubilar, 25-vjetorin e themelimit. Në këtë akademi ishin të pranishëm një numër i madh i personaliteteve publike nga vendi dhe nga trojet etnike, në mesin e të cilëve ishin edhe kryetari i Kuvendit, z. Talat Xhaferi, biznesmeni dhe filantropi, z. Lazim Destani, rektorë universitetesh, liderë të partive politike shqiptare, deputetë, ministra, profesorë dhe studentë.
Akademinë solemne e shpalli të hapur Rektori i UT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti, i cili tha se 25-vjetori i shënimit të themelimit të Universiteti të Tetovës është një ngjarje e veçantë për popullin shqiptar, për rininë studentore, për profesorët, për intelektualët dhe për dashamirët e arsimit shqip, të cilët u bënë digë për mbrojtjen e këtij tempulli të dijes dhe të ardhmërisë, në kohën kur themelimi dhe ngritja në këmbë të shëndosha e Universitetit, pengohej e luftohej me të gjitha mjetet e mundshme të dhunës, që kishte shteti në dispozicion. “Mu për këtë, në çerekshekullin e parë të funksionimit të Universitetit të Tetovës, ne shprehim mirënjohjet më të thella për të gjithë ata që kontribuuan për lindjen dhe mëkëmbjen e Tij, duke u përkulur në veçanti para veprës së dëshmorit të arsimit universitar në gjuhën shqipe, Abdylselam Eminit, para Rektorit të parë historik, Prof. Dr. Fadil Sulejmanit, para njerëzve që e ndihmuan atë materialisht në momentet më të vështira, para atyre që i shndërruan shtëpitë në auditorë, laboratorë e biblioteka universitare, para nënave e motrave shqiptare që dhuruan për Universitetin shqip edhe stolitë e qafës dhe, para gjeneratave të shumta të pishtarëve të gjallë e të vdekur të arsimit, të cilët e flijuan jetën duke e ëndërruar këtë ditë të bekuar. Pa këto përpjekje titanësh, Universiteti i Tetovës nuk do të ishte sot vatër serioze e arsimit të lartë dhe nuk do të rritej me ritmin gjigant për nga numri i fakulteteve, programeve e drejtimeve studimore, për nga numri i laboratorëve dhe infrastrukturës bashkëkohore universitare, për nga numri i studentëve dhe stafit mësimdhënës e administrativ dhe, gjithsesi për nga cilësia e mësimdhënies dhe suksesi i studentëve tanë të vyeshëm e të gatshëm për tregun vendor dhe ndërkombëtar të punës” – tha Prof. Dr. Vullnet Ameti.
Po ashtu, ai mes tjerash tha se për 25 vjet me radhë Universiteti ynë me profesorët dhe me pjesën më vitale – studentët e të gjitha gjeneratave, kanë kontribuuar fuqishëm në zhvillimin, përparimin dhe ndryshimet kolosale që janë bërë në vendin ku jetojmë dhe veprojmë. “UT-ja që nga koha e themelimit e deri më sot, përpos misionit të edukimit, arsimimit dhe kërkimit shkencor, ka meritat dhe kontributin e vet të jashtëzakonshëm në të gjitha proceset përparimtare, strategjinë dhe zhvillimet e suksesshme gjithëkombëtare. Në vitin që lëmë pas, Universiteti ynë ka shënuar rezultate të konsiderueshme në të gjitha fushat dhe ka arritur t’i realizojë qëllimet kryesore si institucion i arsimimit sipëror në vendin tonë. Në përfundim të vitit të kaluar akademik, me ceremoni solemne ne promovuam rreth një mijë absolventë të gjeneratës 2018/2019. Prestigji i Universitetit, oferta e pasur arsimore e shkencore, bashkëpunimi profesional, korrekt e intensiv me institucionet shtetërore, me universitetet e tjera të vendit dhe jo vetëm, me sektorin joqeveritar, komunitetin e biznesit etj., e kanë shndërruar Universitetin e Tetovës në epiqendër të frekuentimit të të rinjve, intelektualëve, shkencëtarëve dhe shkrimtarëve e poetëve të njohur brenda dhe jashtë vendit. Si rezultat i këtij imazhi, ne kemi arritur t’i plotësojmë synimet tona me afrimin e studentëve të rinj, që për çdo vit regjistrohen në programet studimore të 13 fakulteteve tona. Në vitin akademik 2019/2020, në ciklin e parë dhe të dytë, kemi regjistruar rreth 2500 studentë të rinj. Kemi vijuar me mbështetjen për studentët duke u ofruar lehtësime në disa kategori pagesash, ndërsa një numër të konsiderueshëm e kemi liruar plotësisht nga detyrimet e pagesave të semestrave. Këtu vlen të theksojmë se për vitin akademik 2019/2020, Universiteti i Tetovës ka ndarë rreth 100 bursa për studentët ekselentë. Ne e kemi bërë të pamundurën që institucioni ynë të përfshihet në projektet zhvillimore akademike e shkencore në kuadrin e projekteve evropiane të arsimit të lartë, në projekte që mbi të gjitha targetojnë zhvillimin e stafit akademik, mobilitetin e pedagogëve dhe studentëve, aplikimin e standardeve evropiane të cilësisë dhe organizimin e konferencave dhe kongreseve shkencore ndërkombëtare.” – shtoi mes tjerash Prof. Dr. Vullnet Ameti.
Në akademinë kushtuar 25-vjetorit të themelimit të UT-së, pjesëmarrësve iu drejtua me fjalë përshëndetëse në emër të deputetëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, z. Talat Xhaferi. Ai tha se kjo akademi solemne është mënyra më e drejtë e shënimit të ngjarjeve që kanë lënë gjurmë të rëndësishme në zhvillimin historik dhe arsimor të gjeneratave të kaluara, aktuale dhe të ardhme të një populli dhe shteti. “Natyrisht se çdo universitet ka historikun e vet të themelimit, të rritjes, zhvillimit dhe pozicionimit në shkallën e merituar dhe kjo ka të bëjë natyrisht me atë se sa një popull e kupton dhe e mbështet vlerën e tempullit të diturisë. Universiteti i Tetovës, i ka të gjitha, apo jo? Popull i cili e ka kuptuar vlerën e arsimimit në gjuhën amtare dhe për këtë ka ndarë kafshatën e bukës, studentë vullnetfortë dhe të etur për dije dhe njerëz të guximshëm të cilët nuk kanë hezituar në asnjë çast për ta mbrojtur këtë të drejtë me trupin dhe me jetën e vet.” – u shpreh kryetari Talat Xhaferi. Ai, më tej tha se edhe pse universitetet janë institucione autonome, me statute dhe rregulla të vetat, prapëseprapë për të siguruar jetëgjatësinë e tyre, është vendosur trekëndëshi i cili përbëhet prej stafit akademik, studentëve dhe zërit në buxhetin shtetëror, i cili natyrisht, çdoherë mund të jetë më i lartë. Sipas tij, roli i Kuvendit në këtë trekëndësh, përveç që është i rëndësishëm në arritjen e alokimit të mjeteve sa më të larta për arsimin, është i rëndësishëm edhe në pjesën e legjislacionit në fushën e arsimit të të gjitha niveleve dhe i njëjti duhet të jetë në përputhje duke iu përshtatur nevojave të kohës bashkëkohore.
Në emër të Qeverisë së Maqedonisë, fjalë rasti mbajti ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi. Ai tha se përgjatë 25 vjetëve të funksionimit të tij, Universiteti i Tetovës është duke prodhuar kuadër që është i respektuar dhe i nevojshëm për vendin tonë nga aspekti i profesionalizmit dhe përgatitjes, duke kontribuar në krijimin dhe zbatimin e proceseve shoqërore dhe në të njëjtën kohë duke prodhuar kuadër që i posedon saktë shkathtësitë që janë të domosdoshme për konkurrencën e tregut të punës. “Kanë kaluar 25 vjet nga fillimi i realizimit të idesë për krijimin e një institucioni të lartë arsimor në rajonin e Pollogut, në vend i cili me kalimin e kohës është duke siguruar mundësi për edukimin e popullit tonë në gjuhën e vet amtare dhe ka impakt në zhvillimin rajonal dhe në ngritjen e njërës nga shtyllat kryesore të arsimit të lartë dhe të njërës nga forcat lëvizëse të përparimit të përgjithshëm shoqëror-ekonomik të vendit, sikurse është edhe shndërrimi në njërin nga institucionet që prodhon kuadër jashtëzakonisht cilësor i cili është i domosdoshëm në të gjitha sfera e fushëveprimit shoqëror dhe i cili në të njëjtën kohë kontribuon në zhvillimin e shkencës, në veprimtarinë shkencore-hulumtuese, në zhvillimin e inovacioneve, në sipërmarrësi, e kështu me radhë. Vizioni i nismëtarëve dhe i “kreatorëve” të kësaj ideje është realizuar, ndërsa misioni i këtij Universiteti është duke u zbatuar me intensitet të lartë dhe ky proces nuk përfundon kurrë. Besoj fort se do të jetë kështu dhe uroj që të kemi arritje edhe më të mëdha se ato që janë shënuar deri më tani!” – deklaroi ministri Arbër Ademi.
Në pamundësi për të marrë pjesë në shënimin e përvjetorit të Universitetit tonë, këtë akademi solemne me telegram urimi e përshëndetën edhe kryetari aktual i Komunitetit Shqiptaro-Amerikan të shtetit të Teksasit në SHBA, z. Bruno Ceka dhe ish-kryetari Nazar Memeti, të cilët e uruan Universitetin e Tetovës për shënimin e 25-vjetorit të themelimit, duke sjellë në vëmendje kontributin e inteligjencës shqiptare nga vendi ynë dhe nga Republika e Kosovës si dhe gatishmërinë e pedagogëve të Shqipërisë dhe diasporës shqiptare, për ta ndihmuar Universitetin e Tetovës që në vitin e tij të themelimit. Ata po ashtu, në telegramin e tyre e përgëzuan udhëheqësinë e universitetit për ndarjen e titullit Doctor Honoris Causa, artistit të kombit z. Mirush Kabashit.Në 25-vjetorin e Universitetit të Tetovës u nda edhe titulli më i lartë shkencor Doctor Honoris Causa për artistin e kombit Mirush Kabashin. Referatin kryesor për dhënien e këtij titulli shkencor artistit Mirush Kabashi, e lexoi anëtari i Komisionit, Prof. Dr. Salajdin Saliu. “Jeta e aktorit Mirush Kabashi ka qenë e lidhur me teatrin, me këtë univers të kondensuar, që njeriut ia ka përcjellë nga lashtësia të vërtetat më të trishta të ekzistencës njerëzore. Mirush Kabashi, nëpërmjet artit të aktrimit, i shprehur nëpërmjet lojës së aktrimit, diksionit, plasticitetit dhe transformimeve emocionale, ka përcjellë deri te publiku mesazhet universale të veprave madhore kombëtare dhe botërore, kurse si intelektual ka përcjellë mesazhet më humane për lirinë, demokracinë dhe mbrojtjen e dinjitetit njerëzor. Ai është fiksuar në kujtesën e spektatorit me shumë role të papërsëritshme, qoftë në teatër apo në film. Mirush Kabashi, me talentin e tij, arriti që të krijonte figura të paarritshme, të cilat janë fiksuar në mbamendjen e publikut. Duke e vlerësuar dhe çmuar një aktor të këtyre përmasave, gjykojmë se ne e çmojmë dhe e respektojmë gjeniun e artit, e çmojmë bukurinë, urtësinë dhe lëmë pas një model orientues edhe për brezat e ri. Komisioni vlerësues jep miratimin për dhënien e titullit Doctor Honoris Causa të Universitetit të Tetovës , Mirush Kabashit.” – përfundoi Prof. Dr. Salajdin Salihu.
Ndërsa vendimin e Senatit për dhënien e titullit Doctor Honoris Causa i Universitetit të Tetovës, artistit Mirush Kabashi, e bëri publik Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar i UT-së Doc. Dr. Shefik Shehu.
Pas leximit të vendimit të Senatit, Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, Mirush Kabashin e laureoi me titullin Doctor Honoris Causa duke i ndarë bashkë me diplomën edhe logon dhe flamurin e Universitetit tonë.
Pas marrjes së këtij titulli, laureati Mirush Kabashi, nuk e fshehu kënaqësinë e nderimit me këtë titull shkencor në një ngjarje jubilare siç është 25-vjetori i themelimit të UT-së. Ai këtë vlerësim që iu bë nga Universiteti i Tetovës e cilësoi si një kujtim të paharrueshëm. “Ishte një gjë e madhe kur m’u propozua, por nuk ma mori mendja që do të realizohej në një ceremoni kaq madhështore dhe kaq të bukur që do të ngelet një kujtim i jashtëzakonshëm! Nuk është dhuratë, më besoni, është përgjegjësi e jashtëzakonshme. Tashmë unë nuk do të flas apo të dal në skenë përpara shikuesit, apo dëgjuesit vetëm si artist qoftë edhe si Nderi i Kombit, por do të kem edhe përgjegjësinë e një universiteti, i cili më shumë sesa një universitet është një emblemë e kombit shqiptar në luftën për dije, për arsim. Ajo që unë e quaj krenari për gjithë kombin tonë është se arma na është imponuar dhe ne nuk kemi luftuar për të marrë as edhe një gram, as edhe një centimetër nga territoret e të tjerëve. Ne jemi përpjekur të mbrojmë atë që është jona. Ne jemi ndër popujt e paktë, sidomos në Ballkan, që jemi autoktonë. Jemi autoktonë në trojet tona dhe duke qenë gjithmonë e më pak nga dyndjet e mëdha, u detyruam të tërhiqemi në këta kufij që kemi sot. E po këtu do të qëndrojmë se na takon! Se është jona kjo tokë, është e fëmijëve tanë dhe do ta trashëgojnë duke trashëguar edhe vlerën e jashtëzakonshme gjuhësore. Sepse është ndër 10 gjuhët më me vlerë në botë, që kanë nisur me njerëzimin së bashku dhe, kjo është një e vërtetë e madhe. Unë i përulem kësaj gjuhe, sepse ajo ka ruajtur identitetin tonë kombëtar.” – nënvizoi mes tjerash, laureati Mirush Kabashi.
Kjo akademi u përmbyll me një program artistik të përgatitur nga profesorët e Fakultetit të Arteve të Universitetit të Tetovës, artistët Blerim Grubi, Sihana Badivuku, Selami Kolonja dhe Taulant Kolonja.Zyra për Informim