Me rastin e 7 Prillit, Ditës Botërore të Shëndetësisë, Fakulteti i Shkencave të Mjekësisë i Universitetit të Tetovës, në bashkëpunim me Parlamentin Studentor dhe Grupin Shkencor të studentëve filluan aktivitetet për shënimin e kësaj dite.

Ata në kuadër të kampanjës sensibilizuese për të informuar opinionin, respektivisht popullatën, për kujdesin dhe rëndësinë që duhet kushtuar shëndetit në përgjithësi, sot organizuan një marsh nën moton “Marshojmë për shëndet” duke filluar nga sheshi i Rektoratit të Universitetit të Tetovës deri te sheshi Iliria në qendër të qytetit. Studentët përmes këtij marshi kishin për qëllim dhënien e mesazhit që të ketë shëndet dhe shërbime shëndetësore të gjithmbarshme, për të gjithë kudo.

Koordinatorja e këtij aktiviteti, Doc. Dr. Arbëresha Bexheti – Ferati, tha se Grupi Shkencor i Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë, së bashku me Parlamentin Studentor sikurse çdo vit deri më tani edhe këtë vit iu bashkëngjitën aktiviteteve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për shënimin e kësaj dite me qëllim që të zbatohen të gjitha aktivitetet e kësaj organizate. “Sikurse çdo institucion shëndetësor sot edhe Fakulteti i Shkencave të Mjekësisë i Universitetit tonë së bashku me Grupin Shkencor dhe Parlamentin Studentor, i bashkëngjitemi Organizatës Botërore të Shëndetësisë për të shënuar 7 Prillin, Ditën Botërore të Shëndetësisë, datë kjo në të cilën edhe është formuar Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH). Motoja e kësaj organizate për këtë vit është “Shëndet për të gjithë” dhe ne e pamë të arsyeshme që të fillojmë një fushatë sensibilizuese për të njoftuar qytetarët për shëndetin e përgjithshëm. Ne kemi bërë përpjekje maksimale që t’i zbatojmë të gjitha rekomandimet e dala nga OBSH-ja, për shënimin e të gjitha datave që kanë të bëjnë me shëndetin. Andaj, sot marshuam për shëndet të gjithë së bashku” – u shpreh Doc. Dr. Arbëresha Bexheti – Ferati.

7 Prilli, Dita Botërore e Shëndetësisë, shënon edhe ditën e themelimit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, që u themelua më 7 prill të vitit 1948 dhe nga ajo ditë e deri më sot rreth 193 vende janë anëtare të kësaj organizate. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) është organizatë e Kombeve të Bashkuara që merret me çështje të shëndetit publik.