Me një ceremoni solemne, sot Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, ua ndau indeksat doktorantëve të gjeneratës së katërt të vitit akademik 2018/2019, të cilët do t’i ndjekin studimet e ciklit të tretë në fakultetet e UT-së.
Përgjegjësi i Zyrës për Studime të Doktoraturës, Doc. Dr. Kushtrim Ahmeti, para doktorantëve bëri prezantimin e strukturës së programeve studimore, duke i njoftuar ata me obligimet që i presin gjatë semestrave të studimeve.
Ai shtoi se organizimi i studimeve të doktoratës, që nga fillimi e deri më tani, në nivel universiteti siguron kualitet të lartë, konkurs të përbashkët me kritere të unifikuara pranimi dhe procedurë administrative dhe cilësi të unifikuar.
Sipas tij, studimet organizohen në përputhje me standardet evropiane për arsim të lartë dhe sigurimin e cilësisë, gjithnjë duke pasur në konsideratë komunikatën e Berlinit të vitit 2003, në të cilën thuhet: “Studimet e doktoraturës janë kontribut i universiteteve për të zhvilluar një shoqëri të bazuar në dije” dhe komunikatën e Bergenit të vitit 2005, sipas së cilës: “Pjesëmarrësit në ciklin e tretë të studimeve jo vetëm që janë studentë, por janë edhe hulumtues të rinj shkencorë dhe urë lidhëse mes edukimit dhe hulumtimit shkencor”.