Fakulteti Filozofik i Universitetit të Tetovës, i përfaqësuar nga Prof. Dr. Nebi Dervishi dhe asistenti   Sokol Memeti (22. 5. 2021), morën pjesë në simpoziumin e organizuar nga federata panshqiptare Vatra, në bashkëpunim me qendrën kulturore shqiptare-amerikane “Shqipe e Arizonës” (AACC), shkolla shqipe Arizona (ACCA) dhe  shoqata shqiptare-amerikane e grave të Arizonës (AAWAA).

Prof. Dr. Nebi Dervishi në simpoziumin me temë “Roli i arvanitasve në organizimin dhe fitoren e revolucionit grek” e paraqiti kumtesën “Kontributi i arvanitasve në themelimin e Greqisë së Re dhe heronjtë e tyre”.

Sipas Prof. Dr. Nebi Dervishit, Lëvizja çlirimtare në Greqi filloi të japë rezultate në fillim të shekullit XIX. Ai tha se meritë të veçantë për këtë ka organizata Filiqi Eteria (shoqata e miqve), e cila u krijua në Odesë të Rusisë në vitin 1814, si dhe nga lëvizja që ishte nisur nga Ali Pashë Tepelena para vitit 1821, që atëherë kur ai kishte filluar të mos ia paguante taksat sulltanit, duke menduar për një shkëputje përfundimtare nga Perandoria Osmane. “Në janar të vitit 1822 Greqia shpalli pavarësinë e saj. Për të siguruar njohjen e saj, populli grek duhej të përballonte shumë vështirësi dhe të luftonte deri në vitin 1829. Kryengritja e vitit 1821 ishte në tërësi shqiptare, kjo vërehet nga fakti se shumica e kryengritësve ishin arvanitas (arbëreshë) si dhe shqiptarë nga Epiri që shkuan në ndihmë të kryengritësve dhe që ishin drejtues të ushtrisë së Ali PAshë Tepelenës, të cilët ishin të stërvitur në shkollën ushtarake të kalorësisë si: Odise Andruço, Gjeorgios Karaiskaqi, Llambro, Foton, Zguri Xhavela, Noti dhe Marko Boçari, Athanas Dhiakon, Dhuvunioti Jorgaqi, Dhrako, Llambro Veiko, Tusa Serva, Jani Kuçoniku, Thanas Fotomari, Joni Drakli, etj” – theksoi Prof. Dr. Nebi Dervishi.

Ai, po ashtu theksoi se në çerekun e parë të shekullit XIX, arvanitët e Greqisë dhe shqiptarët e Epirit kanë marrë pjesë në kryengritjen e vitit 1821. “Nga radhët e tyre dolën udhëheqës ushtarakë dhe politikë siç ishin: vëllezërit Kundurioti, J. Karaiskaqi, Laskarina Bubulina, Marko Boçari, etj. Arvanitasi Todor Kolokatroni ia dha lirinë Greqisë, ndërsa Gjon Kapodistria ishte kryetari i parë i shtetit të ri i cili krijoi kancelarinë e shtetit grek në dhjetëvjetëshin e tretë të shekullit XIX. Roli i heronjve arvanitas në revolucionin e 1821 për pavarësinë e shtetit grek ishte shumë i madh. Arvanitasi Aristidh Kola thekson: “90 nga 100 heronjtë e kryengritjes greke të vitit 1821 ishin arvanitas.” shtoi mes tjerash Prof. Dr. Nebi Dervishi.

Ky simpozium u organizua online përmes platformës ZOOM në të cilën morën pjesë shumë studiues shkencorë nga trevat shqiptare.