Në Universitetin e Tetovës qëndroi për vizitë një delegacion i Universiteti “19 Maji” nga qyteti i Samsunit të Republikës së Turqisë. Ky delegacion udhëhiqej nga Rektori Prof. Dr. Yavuz Ünal, i cili shoqërohej nga Zëvendësrektori, Prof. Dr. Cengiz Batuk, Kryetari për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Prof. Dr. Mustafa Sait Kurşunoğlu dhe anëtari i trupit udhëheqës, Sali Sallah.

Ata fillimisht u pritën në takim nga Kryetari i Senatit të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, Prorektori për Financa, Prof. Dr. Naser Raimi, udhëheqësja e Zyrës për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Doc. Dr. Hatibe Deari – Zeqiri dhe profesori i Fakultetit Filozofik, Prof. Dr. Qani Nesimi.

Kryetari i Senatit, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, para mysafirëve prezantoi në pika të shkurtra veprimtarinë arsimore dhe shkencore të Universitetit të Tetovës ndër vite dhe po ashtu i njoftoi ata edhe me disa aktivitete të cilat janë paraparë të realizohen deri në përmbyllje të këtij viti akademik. Ndërsa Prorektori për Financa, Prof. Dr. Naser Raimi tha se takimet e këtilla jo vetëm që ndihmojnë në përfitimin e njohurive dhe përvojave të reja mes universiteteve tona, por edhe janë një shtytje e madhe për përforcimin dhe ngritjen e cilësisë në përgjithësi në arsimin e lartë.

Rektori i Universitetit “19 Maji”, Prof. Dr. Yavuz Ünal shprehu falënderime për mikpritjen dhe tregoi gatishmërinë e tij dhe të universitetit që ai drejton për ta vijuar bashkëpunimin me Universitetin e Tetovës edhe në të ardhmen në fusha të ndryshme. Ai, po ashtu u shpreh se  Universiteti “19 Maji” nga Samsuni i Turqisë përbëhet nga 12 njësi akademike dhe ka mbi 54 mijë studentë.

Po ashtu, në këtë takim u diskutua edhe krijimi dhe hartimi i strategjive të reja për të bashkërenduar në një agjendë disa aktivitete të ndryshme, në aspektin arsimor, kërkimit shkencor, shkëmbimin e stafit akademik dhe studentëve, organizimin e simpoziumeve ndërkombëtare,  konferencave shkencore, trajnimeve të ndryshme, si dhe bashkëpunimin në kuadër të programeve ndërkombëtare për mobilitet të studentëve dhe profesorëve, si Erasmus +, Mevlana e të tjera.