Me rastin e 2 Prillit – Ditës Ndërkombëtare të Ndërgjegjësimit për Autizmin, në Fakultetin Pedagogjik të Universitetit të Tetovës u organizua aktiviteti me temë “Ta shohim botën ndryshe: Autizmi dhe realiteti virtual”.
Prodekania për Shkencë e Fakulteti Pedagogjik Prof. Dr. Teuta Ramadani – Rasimi, theksoi rëndësinë e shënimit të kësaj dite, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për autizmin te studentët, profesorët dhe opinioni më i gjerë. Ajo nënvizoi se gjatë viteve janë realizuar forma të ndryshme ndërgjegjësimi, duke filluar nga ligjërata dhe debate publike, e deri te prezantimi i praktikave të mira në fushën e edukimit dhe rehabilitimit.
Dekani i Fakultetit Pedagogjik, Prof. Dr. Lulzim Mehmedi, tha se shënimi i kësaj date ka të bëjë me rritjen e ndërgjegjësimit dhe krijimin e një qasjeje më gjithëpërfshirëse në arsim. “Qëllimi i këtij aktiviteti është të hapë një perspektivë të re drejt mirëkuptimit dhe pranimit të personave në spektrin e autizmit. Autizmi nuk duhet parë si një paaftësi, por si një mënyrë e ndryshme e përjetimit të botës, ndërsa roli i edukatorëve është që përmes dijes dhe empatisë të krijojnë një mjedis gjithëpërfshirës për çdo fëmijë. Përdorimi i teknologjisë së realitetit virtual mund të ndihmojë studentët të kuptojnë më mirë përvojat dhe ndjesitë e personave me autizëm, duke krijuar ura të reja komunikimi dhe mirëkuptimi në procesin edukativ.” – u shpreh Prof. Dr. Lulzim Mehmedi.
Aktiviteti u zhvillua në dy pjesë dhe u moderua nga Prof. Dr. Jasmina Troshanska nga programi studimor i Edukimit Special dhe Rehabilitimit. Në pjesën e parë u prezantuan roli dhe rëndësia e teknologjisë VR në punën me personat me autizëm, ndërsa në pjesën e dytë studentët patën mundësinë që në mënyrë praktike të përjetojnë botën virtuale në rolin e edukatorit. Shembujt që u shfaqën sot janë rezultat i dy projekteve të financuara nga Unioni Evropian dhe të mbështetura nga Universiteti i Tetovës: ABA-VR: Trajnim për menaxhimin e sjelljes përmes realitetit virtual, i cili i përgatit studentët e arsimit të lartë për të mbështetur personat me autizëm dhe Houses4Autism: Shtëpitë mbështetëse si klasë mësimore në vendbanimet mbështetëse për personat me autizëm për ndërtimin e një jete të pavarur
Shënimi i 2 Prillit është një mundësi për ta rritur ndërgjegjësimin mbi autizmin dhe për të promovuar përdorimin e teknologjive inovative në arsim, me qëllim ndërtimin e një shoqërie më gjithëpërfshirëse dhe më të ndjeshme ndaj nevojave të të gjithëve.





