Prej 12-15 qershor 2019 në Sevilje të Spanjës u mbajt Kongresi i 27-të Evropian i Kirurgjisë Endoskopike (EAES), me pjesëmarrës nga shumë vende të botës, si dhe ekspertë të njohur të kirurgjisë endoskopike, ku u prezantuan arritjet më të fundit në këtë fushë, me theks të veçantë të asaj robotike.
Në këtë tubim shkencor, Universiteti i Tetovës u përfaqësua nga dekani i Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë, Prof. Dr. Kastriot Haxhirexha, i cili para studiuesve shkencorë nga vende të ndryshme të botës i prezantoi punimet e tij kushtuar kirurgjisë laparoskopike.
Ai, në këtë ngjarje përpos anës shkencore zhvilloi edhe disa takime me profesorë eminentë të kirurgjisë endoskopike nga universitete të tjera, si: Prof. Dr. Jaap Bonjer, profesor i kirurgjisë dhe shef i Departamentit të Kirurgjisë në Amsterdam, Prof. Jérémie Lefevre, shef i Kirurgjisë Endoskopike në Universitetin “Pierre dhe Marie Curie” në Paris, Dr. Horacio Asbun, profesor i kirurgjisë në Klinikën Mayo dhe shef i Katedrës së Kirurgjisë në atë klinikë, Prof. Nicole Bouvy, kryetare e EAES, Prof. Salvador Morales Conde, president i Kongresit të EAES, Prof. Andrea Pietrabissa – Itali, Prof. Eduardo Targarona – Barcelonë, si dhe shumë personalitete tjera të kirurgjisë.
Në takimet që i realizoi me Prof. Michael Brunt – shef i Katedrës së Kirurgjisë në Universitetin e Washingtonit dhe Dr. Ahmaad Nassar – profesor i Kirurgjisë në Universitetin e Glasgowit, dy profesorët shprehën gatishmërinë e tyre për një vizitë pune në të ardhmen për të takuar profesorët dhe studentët e Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë të Universitetit të Tetovës.
Po ashtu, dekani Prof. Dr. Kastriot Haxhirexha në këtë kongres ka ndjekur edhe një kurs trajnimi nga kirurgjia laparoskopike e traktit biliar të organizuar nga Kompania “Shtorz”dhe në mbikëqyrjen e Prof. Nasaar-it nga Universiteti i Glasgowit. Nga bisedat me këta profesorë, si dhe kontaktet me përfaqësues të kompanisë ‘Shtorz” është diskutuar që në të ardhmen të organizohen kurse të tilla trajnimi edhe në kuadër të Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë të Universitetit të Tetovës.
Zyra për Informim