Dekania e Fakultetit Filologjik të Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Emine Shabani mori pjesë në Konferencën e Bolonjës me temë “Arbëreshët e Italisë – Një qytetërim midis dy brigjeve të Adriatikut”. Kjo konferencë (që u mbajt në Palazzo Marescotti, Dipartimento delle Arti, Via Barberia, 4, Bologna Italy), solli në vëmendje trashëgiminë e çmuar të komuniteteve arbëreshe, të cilat prej shekujsh ruajnë gjuhën, zakonet dhe kujtesën historike të origjinës së tyre shqiptare, duke ndërtuar një urë të fortë kulturore mes Shqipërisë dhe Italisë.

Në këtë konferencë dekania e Fakultetit Filologjik, Prof. Dr. Emine Shabani prezantoi temën: “Malli për atdheun e humbur te veprat e romantikëve arbëreshë”, ku u përqendrua në analizën e ndjenjës së mallit si një motiv qendror në krijimtarinë letrare të autorëve arbëreshë të shekullit XIX. Në kumtesën e saj, ajo theksoi se letërsia romantike arbëreshe nuk ishte vetëm një shprehje estetike, por edhe një akt i fortë identitar dhe historik. Malli për atdheun e humbur – për Arbërinë e largët, shfaqet si një ndjenjë kolektive që përshkon poezinë dhe prozën e kësaj periudhe. Në këtë kuadër, dekania analizoi veprat e Jeronim De Radës, një ndër figurat më të rëndësishme të romantizmit arbëresh, sidomos poemën e tij të njohur Këngët e Milosaos, ku dashuria për vendlindjen ndërthuret me fatin historik të kombit. Gjithashtu, ndaloi te krijimtaria e Gavril Dara i Riu dhe te vizioni i tij epik në veprën Kënga e Sprasme e Balës, ku kujtesa historike dhe miti i atdheut të humbur marrin përmasa simbolike. Në trajtesën e saj, dekania argumentoi se malli në letërsinë arbëreshe nuk është thjesht nostalgji individuale, por një mekanizëm mbijetese kulturore. Përmes poezisë, arbëreshët ruajtën gjuhën shqipe, mitet kombëtare dhe figurën e heroit, duke e kthyer letërsinë në një formë rezistence shpirtërore. Romantikët arbëreshë e idealizuan atdheun e largët, duke e shndërruar atë në një hapësirë mitike, ku ndërthuren historia, legjenda dhe shpresa për rilindje kombëtare.

Konferenca krijoi një hapësirë të frytshme diskutimi mbi rolin e diasporës në ruajtjen e identitetit dhe mbi rëndësinë e dialogut kulturor mes dy brigjeve të Adriatikut. Sipas profesoreshës, kjo pjesëmarrje ishte një mundësi për të ndarë reflektime mbi forcën e letërsisë si bartëse e kujtesës historike dhe si dëshmi e lidhjes së pashkëputur shpirtërore mes arbëreshëve dhe atdheut të tyre të origjinës.