Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, dhe Kryetari i Senatit, Prof. Dr. Kenan Ferati, morën pjesë në Konferencën “Ballkan Countries Health Business Forum”, e cila u zhvillua në datat 25 – 27 prill 2025 në qytetin Edrene të Turqisë.
Ky forum mblodhi bashkë ministra të shëndetësisë nga disa shtete të Ballkanit, rektorë të universiteteve, si dhe drejtues të institucioneve të rëndësishme shtetërore dhe akademike, me qëllim nxitjen e bashkëpunimit ndërinstitucional në fushën e shëndetësisë dhe arsimit të lartë mjekësor.
Gjatë konferencës, përfaqësuesit e Universitetit të Tetovës prezantuan organizimin dhe funksionimin e përgjithshëm të universitetit, me theks të veçantë në Fakultetin e Shkencave Mjekësore. Ata ndanë me të pranishmit vizionin zhvillimor të këtij fakulteti dhe perspektivat për bashkëpunim ndërkombëtar në fushat e arsimit, kërkimit shkencor dhe shërbimeve shëndetësore.
Pjesëmarrja në këtë forum shënon një tjetër hap të rëndësishëm drejt forcimit të rolit ndërkombëtar të Universitetit të Tetovës dhe krijimit të urave të reja bashkëpunimi në rajon.








