Në kuadër të aktiviteteve për 30-vjetorin e themelimit të Universitetit të Tetovës, në një atmosferë festive dhe kompetitive, Fakulteti i Kulturës Fizike organizoi turne në futboll të vogël, ku studentët e fakulteteve garuan për titullin kampion.

Finalja emocionuese u zhvillua mes ekipit të Fakultetit të Kulturës Fizike dhe Fakultetit të Shkencave Mjekësore. Ekipi i Kulturës Fizike tregoi superioritetin e tij duke fituar me rezultatin bindës 4 me 1. Vendi i dytë dhe i tretë, përkatësisht skuadra e Fakultetit të Shkencave Mjekësore dhe skuadra e Fakultetit të Shkencave të Zbatuara, po ashtu treguan një performancë të shkëlqyer gjatë këtij kompeticioni në mesin e të gjitha ekipeve pjesëmarrëse. Ndërkaq, lojtari më i mirë i turneut u zgjodh Argjend Gafuri nga Fakulteti i Kulturës Fizike.

Ky turne shënon një moment të veçantë bashkimi dhe feste për Universitetin e Tetovës, duke theksuar rëndësinë e aktiviteteve sportive në promovimin e shëndetit dhe frymës së bashkëpunimit mes studentëve. Ky aktivitet, jo vetëm që shënon një jubile të rëndësishëm për Universitetin e Tetovës, por shërben edhe si një platformë ku studentët mund ta demonstrojnë talentin dhe shpirtin e tyre luftarak.