Më 22 Nëntor, në 116-vjetorin e Kongresit të Manastirit, Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë mirëpriti në një takim pune Rektorin e Universitetit të Arteve të Tiranës dhe dekanët e fakulteteve të arteve nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut.
Takimi u organizua me iniciativën e dekanit të Fakultetit të Arteve të UHZ-së, Prof. Dr. Hysen Nimani dhe përfshiu një agjendë të pasur me diskutime që prekën tema kyçe për të ardhmen e edukimit artistik në rajon. Midis temave të trajtuara ishin rishikimi dhe harmonizimi i përmbajtjes së programeve të studimit në fushën e arteve, organizimi i aktiviteteve të përbashkëta artistike dhe identifikimi i mundësive për bashkëpunim në fushën e kërkimit dhe zhvillimit artistik.
Gjatë takimit u nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi mes universiteteve dhe fakulteteve përkatëse, akte të cilat vendosën themelet për thellimin e marrëdhënieve akademike dhe artistike mes këtyre institucioneve.
Delegacioni i Fakultetit të Arteve nga Universiteti i Tetovës ishte i udhëhequr nga dekani Prof. Ord. Senad Abduli, shefi i ECTS-së Prof. Ord. Agron Abduli dhe Prof. Inord. Drenusha Palloshi.
Dekani i Fakultetit të Arteve, Prof. Ord. Senad Abduli theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe kombëtar, sidomos në kontekstin e përmirësimit të mësimdhënies, kërkimit shkencor dhe zhvillimit të infrastrukturës akademike. Propozimi i tij ishte organizimi i aktiviteteve konkrete të përbashkëta dhe shkëmbim i stafit akademik në të gjitha programet studimore të fakulteteve përkatëse. Sipas tij, përvoja ka treguar se veprimet kolektive dhe të koordinuara mes institucioneve përkatëse janë çelësi për të arritur sukses në çdo aspekt të arsimit, edukimit dhe kërkimit shkencor dhe artistik.