Java e Veçantë Studimore e organizuar nga Fakulteti Pedagogjik i Universitetit të Tetovës dhe Shoqata “Arsimi” nga Zvicra, më 18.10.2024 i përmbylli me sukses aktivitetet e saj. Tema e këtij viti ishte: “Diversiteti natyror – biodiversiteti dhe diversiteti kulturor – interkulturaliteti”. Pikërisht në ditën e fundit, në oborrin e shkollës fillore “Abdyl Frashëri” në Bogovinë u mbajt panairi socio-kulturor dhe arsimor ku në disa tenda u prezantuan vlerat e trashëgimisë kulturore, arsimore si dhe ushqime nga shkollat dhe grupet punuese të të gjithë fshatrave të Komunës së Bogovinës.

Këtë aktivitet e mbështeti edhe Komuna e Bogovinës, me ç’rast kryetari i kësaj komune, Besnik Emshiu, i falënderoi të gjithë pjesëmarrësit për kontributin e dhënë përgjatë kësaj jave, duke lënë përshtypje pozitive, e në veçanti të gjitha shkollat, të cilat kanë qenë në nivelin më të mirë të mundshëm. Ai theksoi se Komuna e Bogovinës gjithmonë i ka mbështetur këto aktivitete dhe do t’i mbështesë edhe në të ardhmen.

Prorektori për Shkencë, Prof. Dr. Agon Memeti u shpreh se ky aktivitet është një dëshmi e angazhimit të vazhdueshëm të Fakultetit Pedagogjik për të zgjeruar horizontet e studentëve tanë, jo vetëm përmes teorisë, por edhe përmes përvojave praktike. “Vizitat që keni bërë në fshatrat e komunës së Bogovinës besoj se ju kanë dhënë një kuptim më të thellë të bashkëjetesës me natyrën dhe respektit për trashëgiminë kulturore. Suksesi i kësaj jave nuk do të ishte i mundur pa përkushtimin dhe bashkëpunimin tuaj. Studentët tanë të vitit të tretë dhe të katërt kanë treguar entuziazëm dhe kuriozitet për të mësuar më shumë, ndërsa stafi akademik dhe bashkëpunëtorët kanë dhënë një kontribut të çmuar për realizimin e suksesshëm të aktiviteteve. Ky është shembulli më i mirë i edukimit që përqafon diversitetin dhe inkurajon hulumtimin dhe zhvillimin e mendimit kritik. Si universitet, ne jemi krenarë që mbështesim iniciativa të tilla që ndihmojnë në zhvillimin profesional dhe personal të studentëve tanë, duke i përgatitur ata për një të ardhme ku do të luajnë një rol aktiv në ruajtjen dhe promovimin e diversiteti natyror dhe kulturor” – tha mes tjerash Prorektori për Shkencë, Prof. Dr. Agon Memeti.

Ndërsa dekani i Fakultetit Pedagogjik, Prof. Dr. Lulzim Mehmedi, i falënderoi të gjithë për përkushtimin dhe përpjekjet e jashtëzakonshme që kanë bërë gjatë këtyre ditëve të paharrueshme. Sipas tij, kjo javë ishte më shumë sesa një ngjarje e zakonshme; ishte një përmbledhje e pasurisë sonë natyrore dhe kulturore, duke vënë theksin mbi diversitetin që përfaqëson malësia e Sharrit në Komunën e Bogovinës.

“Këto vise janë të bekuara me bukuri të jashtëzakonshme natyrore dhe veçori të pasura etno-kulturore që na bëjnë krenarë për trashëgiminë tonë të pasur. Malet e Sharrit ofrojnë një mozaik të natyrës së paprekur, peizazhe mbresëlënëse dhe një biodiversitet të rrallë që e bën këtë zonë një thesar të vërtetë për ne dhe për brezat e ardhshëm. Gjithashtu, trashëgimia etno-kulturore e këtyre trevave përfaqëson vlera të veçanta që lidhen me traditat, zakonet, gjuhën dhe artin popullor që janë trashëguar nga brezi në brez” – tha dekani i Fakultetit Pedagogjik, Prof. Dr. Lulzim Mehmedi.

Më pas ai foli për veçantitë dhe specifikat e çdo vendbanimi dhe çdo shkolle në këtë trevë të mrekullueshme, të cilat kanë dëshmuar një kontribut të pashoq në ruajtjen dhe promovimin e vlerave tona kulturore, arsimore dhe historike. Po ashtu i falënderoi të gjithë ata, pa të cilët ky aktivitet nuk do të jetësohej. “Në këto vise, kanë lindur dhe janë rritur personalitete të jashtëzakonshme që kanë dhënë kontribut në fusha të ndryshme – qoftë në historinë tonë të pasur, në arsim, kulturë, sport apo në fusha të tjera që kanë ndikuar në zhvillimin dhe pasurimin e trashëgimisë sonë të përbashkët. Një falënderim i veçantë shkon për Komunën e Bogovinës në krye me kryetarin Besnik Emshiu bashkë me sektorin për veprimtari publike udhëheqësin Nuriman Tefiku si dhe Minur Asani, për mbështetjen e tyre të palodhur dhe për angazhimin e tyre të vazhdueshëm gjatë vizitave tona edhe në këtë aktivitet përmbyllës, si dhe biznesmenin Arif Sulejmani. Pa mbështetjen dhe përkushtimin e tyre, shumë nga aktivitetet dhe iniciativat tona nuk do të ishin realizuar me suksesin që pamë këtë javë. Gjatë kësaj jave, kemi zhvilluar edhe trajnime paralele kreative me edukatorët, duke theksuar rëndësinë e edukimit dhe përgatitjes së brezave të rinj me aftësi dhe njohuri që do të kontribuojnë në zhvillimin e komunitetit tonë në të ardhmen. Këto trajnime ishin një mundësi e shkëlqyer për të ndarë ide, për të nxitur kreativitetin dhe për të promovuar një qasje inovative në edukimin dhe zhvillimin profesional. Me këtë rast falënderoj dhe drejtoreshën e kopshtit “Rinia” znj. Fatlinda Jaja e cila i ofroi hapësirat për realizim të trajnimeve me trajnuesit Erik Masina dhe Shukrije Lecaj.” – u shpreh dekani i Fakultetit Pedagogjik, Prof. Dr. Lulzim Mehmedi.

Ndërsa, kryetari i Shoqatës “Arsimi” nga Zvicra, Doc. Dr. Mahir Mustafa i falënderoi të gjithë ata që kontribuan për Javën e Veçantë Studimore dhe më pas i shpalli emrat e kopshteve dhe shkollave që do të marrin donacione pikërisht nga Java e Veçantë Studimore, si kopshti i Kamjanit dhe të githa shkollat e Komunës së Bogovinës, shkollat periferike në malësi të Sharrit, si dhe kopshti “Rinia” i Tetovës dhe ai i Bogovinës me të njëjtin emër.

Në ceremoninë përmbyllëse, studentët e Fakultetit Pedagogjik promovuan punimet nga punëtoritë dyditore që u mbajtën në fakultet dhe realizuan mësim përmes lojërave të ndryshme me nxënësit. Punimet e tyre i prezantuan edhe edukatoret e kopshteve nga Çairi, Saraji, Tetova, Kamjani, Dibra dhe Kërçova që për katër ditë me radhë në kopshtin “Rinia” – Tetovë, e ndoqën trajnimin me punëtori kreative.