//Jemi me fat që i takojmë kombit të shenjtores – Nënë Terezës

Jemi me fat që i takojmë kombit të shenjtores – Nënë Terezës

2021-08-26T21:52:50+00:00 Gusht 26, 2021|
Sot është 111-vjetori i lindjes së shenjtores sonë (26 gusht 1910), ndërsa ne jemi me fat që i takojmë kombit të Nënë Terezës, të cilin Ajo e përfaqësoi me vlerat dhe virtytet që sot i njeh e gjithë bota.
Në Universitetin e Tetovës, ne kemi organizuar ngjarje dhe aktivitete të panumërta me karakter arsimor dhe shkencor, kemi shënuar përvjetorë të ndryshëm të historisë sonë kombëtare, kemi përuruar botime, revista dhe vepra të rëndësishme të personaliteteve më eminente kombëtare dhe ndërkombëtare, mirëpo ndihemi të lumtur si kurrë ndonjëherë që Universiteti ynë i ka kushtuar një veprimtari shkencore – shenjtërimit (4 shtator 2016), të Nënë Terezës, nobelistes, shenjtores shqiptare, humanistes më të madhe që ka njohur bota.
Shenjtërimi i Nënë Terezës përjetësoi vlerat e personalitetit të saj me përmasa gjigante, shenjtores që jetoi mes njerëzish, që ua mësoi atyre bujarinë, zemërgjerësinë, bamirësinë, dhembshurinë, mëshirën dhe altruizmin. Për shenjtoren e dashurisë, të urtësisë dhe mëshirës, personalitete eminente të mbarë botës kanë dhënë vlerësimet më të larta, për të janë publikuar me qindra vështrime në revistat më prestigjioze të botës, janë botuar dhjetëra libra për veprimtarinë, humanizmin dhe dashurinë e saj të pakufishme.
E kemi detyrim kombëtar ta mbrojmë, kujtojmë e nderojmë emrin dhe figurën e saj me përmasa universale, personalitetin e papërsëritshëm dhe të pakrahasueshëm të misionares sonë, që me mirësi, humanizëm dhe përkushtim u shndërrua në simbolin më të admiruar të shekullit XX.
Rektori
Prof. Dr. Vullnet Ameti