Klubi i volejbollit i Universitetit të Tetovës, në kategorinë e meshkujve (20. 3. 2021), ka shënuar një fitore tejet të rëndësishme ndaj Strumicës në transfertë, duke i shkaktuar skuadrës vendase humbjen e parë sezonale. Ndeshja përfundoi 2 me 3 në sete për skuadrën e Universitetit të Tetovës, në një takim që ishte i luftuar deri në frymën e fundit, por falë këmbënguljes dhe vullnetit të volejbollistëve, fitorja e merituar i takoi skuadrës sonë.
Përveç rezultateve pozitive në kampionat, ekipi i Universitet të Tetovës është pretendent edhe për fitimin e Kupës së Maqedonisë së Veriut. Këtë javë do të tërhiqet shorti i gjysmëfinaleve, ku ekipi ynë do të ndeshet me njërën nga skuadrat si Shkëndija, Vardari apo Strumica.
Gjysmëfinalet do të luhen të premten, ndërsa finalja të dielën. Të gjitha ndeshjet do të luhen në Strumicë, pa praninë e publikut për shkak të masave mbrojtëse nga Covid-19.
Lidhur me ecurinë e skuadrës dhe shortit në kuadër të Kupës, kapiteni i skuadrës Hamza Veseli theksoi se ekipi është në rrugën e duhur, i përgatitur, i motivuar dhe i etur për trofe, ndërsa beson se skuadra e Universitet të Tetovës është favorite për ta fituar Kupën e Maqedonisë.
Ndërkaq, ekipi i Universitetit të Tetovës, në kategorinë e femrave, pësoi disfatë nga Nakovski Volej, 3 me 1 në sete. Edhe kjo ndeshje u luajt në Strumicë.