Një delegacion i Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) për Maqedoninë, i kryesuar nga z. Halim Ömer Söğüt (21 janar 2021), e vizitoi Universitetin e Tetovës. Delegacioni, në UT, u prit nga Rektori Prof. Dr. Vullnet Ameti me ç’rast u diskutuan bashkëpunimet e deritashme si dhe mundësitë për intensifikim të këtij bashkëpunimi në të ardhmen.
Rektori, në emër të stafit akademik dhe studentëve, shprehu falënderime dhe mirënjohje për mbështetjen që në vitet e kaluara e ka dhënë ky institucion, në veçanti në përmirësimin e kushteve të punës dhe infrastrukturës shkencore dhe njëherazi konfirmoi gatishmërinë për konkretizimin e ideve dhe projekteve me karakter hulumtues në fushat, të cilat mbulohen nga programet e ndryshme studimore, që janë dhe do të mbeten pjesë e njësive akademike të Universitetit edhe në të ardhmen.
Koordinatori, z. Halim Ömer Söğüt, po ashtu shprehu kënaqësinë që nga afër ka mundësi të njihet me Universitetin e Tetovës, sikundër theksoi angazhimin për mbështetjen edhe të iniciativave të tjera që janë në funksion të komunitetit më të gjerë në RMV.
Ai i përcolli qëndrimet pozitive të institucioneve të arsimit të lartë në Republikën e Turqisë për bashkëpunimet e deritashme me Universitetin e Tetovës, duke theksuar se ato mbesin të hapura që të njëjtat të thellohen në fusha të ndryshme.
Në përfundim të takimit, Rektori Prof. Dr. Vullnet Ameti, në shenjë mirënjohjeje dhe falënderimi për bashkëpunimin e frytshëm, koordinatorit Halim Ömer Söğüt, i ndau portretin e Rektorit të parë të UT-së, Prof. Dr. Fadil Sulejmani, që simbolizon historinë e lavdishme të institucionit tonë, që nga ditët e para të themelimit si dhe rrugëtimin e suksesshëm deri në etablimin si universitet i respektuar ndërkombëtarisht që është pjesë e shumë iniciativave rajonale dhe evropiane.