Sot, në ambientet e Laboratorit për Kontrollin e Produkteve Ushqimore në FTUU, Rektori i Universitetit të Tetovës, i shoqëruar nga Kryetari i Senatit, Prof. Dr. Kenan Ferati dhe Prorektorja për Financa, Prof. Dr. Aida Yzeiri – Baftijari zhvilluan një vizitë , qëllimi i së cilës ishte të shihej dinamika e realizimit të projektit që financohet nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomizimit të Ujërave. Nga fakulteti ishin të pranishëm dekani, Prof. Dr. Gafur Xhabiri, shefi i laboratorit, Prof. Dr. Ismail Ferati, si dhe përgjegjësja e laborantëve Mr. Sc. Rejhana Luma.

Shefi i laboratorit Prof. Dr. Ismail Ferati e prezantoi ecurinë e projektit, i cili ndodhet në fazën finale pas instalimit të instrumentit ICP/MS – teknologji e avancuar për detektimin e metaleve të rënda, që e bën laboratorin më konkurrues dhe më kërkimor. Gjithashtu u diskutuan sfidat me të cilat përballet laboratori, si dhe zgjidhjet e mundshme për forcimin e rolit të tij në shërbim të institucioneve shtetërore (inspektorateve), kompanive të sektorit ushqimor, fermerëve, si dhe studiuesve e hulumtuesve të rinj në këtë fushë. Rektori i Universiteti të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli e vlerësoi përkushtimin e stafit akademik dhe theksoi se Universiteti i Tetovës do të vazhdojë të mbështesë zhvillimin e kapaciteteve shkencore dhe praktike, të cilat do të ndihmonin në finalizimin e këtij projekti.

UT-ja ka një bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Bujqësisë dhe ky është projekti i dytë i financuar nga kjo ministri, i pari në vitin 2021, ndërsa projekti aktual është drejt finalizimit. Bashkëpunimi me Ministrinë e Bujqësisë, institucionet shtetërore, akademike dhe sektorin privat mbetet një nga prioritetet e Universitetit tonë.

Laboratorit për Kontrollin e Produkteve Ushqimore i FTUU-së  është i certifikuar sipas standardit ndërkombëtar MKC EN/IEC ISO 17025:2018 dhe certifikatat e tij njihen ndërkombëtarisht.