Universiteti i Tetovës e përkujtoi 31-vjetorin e ligjëratave të para me një sërë aktivitetesh që nderuan figurat dhe momentet historike të themelimit. Para ceremonisë solemne, udhëheqësia e Universitetit bëri homazhe te busti i dëshmorit të arsimit shqip Abdylselam Emini, si dhe te varri i themeluesit dhe Rektorit të parë të UT-së Prof. Dr. Fadil Sulejmani. Më pas, pjesëmarrësit e vizituan muzeun historik të Universitetit në fshatin Poroj, ku u rikujtuan sakrificat dhe rrugëtimi i vështirë drejt hapjes së dyerve të dijes në gjuhën shqipe. Në këtë veprimtari ishte e pranishme udhëheqësia e Universitetit: Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, kryetari i Senatit, Prof. Dr. Kenan Ferati, sekretari gjeneral, z. Adem Beadini, Prorektori për Shkencë, Prof .Dr. Vullnet Ameti, Prorektorja për Financa, Prof. Dr. Aida Yzeiri – Baftijari, Prorektori për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Prof. Dr. Salajdin Salihu dhe kryetari i Kuvendit Studentor, Leart Ibraimi. Po ashtu i ftuar ishte edhe akademiku nga Shqipëria, Prof. Dr. Arben Merkoçi.
Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli foli për hisorikun e Universitetit të Tetovës. Ai tha se kjo datë përfaqëson një moment historik jo vetëm për Universitetin tonë, por edhe për arsimin e lartë në gjuhën shqipe në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Ajo shënon një kthesë vendimtare në realizimin e të drejtave themelore të shqiptarëve për arsimim në gjuhën amtare, për kërkim shkencor dhe për zhvillim kulturor e shoqëror. “Universiteti i Tetovës nuk lindi rastësisht. Ai lindi si rezultat i një vizioni të qartë, i një nevoje historike dhe i një përkushtimi të jashtëzakonshëm të intelektualëve dhe qytetarëve tanë. Në krye të këtij projekti madhor qëndron figura emblematike e themeluesit dhe Rektorit të parë, Prof. Dr. Fadil Sulejmani. Vepra dhe vizioni i tij mbeten shtyllë themelore e identitetit të Universitetit tonë. Ai jeton dhe do të jetojë përjetë në kujtesën institucionale dhe në zemrat e brezave që janë formuar dhe po formohen në këtë vatër të dijes. Në këtë akademi solemne, në 13-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta, e kujtojmë me respekt dhe mirënjohje të thellë Prof. Dr. Fadil Sulejmanin për sakrificën, përkushtimin dhe guximin në jetësimin e projektit iluminist, Universitetin e Tetovës. Fillimet e këtij institucioni ishin të vështira dhe të mbushura me sfida serioze. Ato u shoqëruan me pengesa institucionale, me qëndrime antidemokratike dhe diskriminuese ndaj arsimit në gjuhën shqipe, si dhe me përpjekje për ta penguar zhvillimin e shoqërisë shqiptare në këtë vend. Më 17 shkurt 1995, me porosinë emblematike të Rektorit historik: “Ne duam lapsin dhe fletoren, nuk duam dhunë”, në fshatin Poroj filluan ligjëratat e para të Universitetit të Tetovës. Po atë ditë, në Reçicë të Vogël, procesi u shoqërua me dhunë policore ndaj qytetarëve që mbronin të drejtën për arsimim. Si pasojë, pati të lënduar dhe të arrestuar, përfshirë edhe drejtues të Universitetit, ndërsa Abdylselam Emini ra dëshmor i arsimit shqip. Këto ngjarje janë dëshmi e sakrificës dhe vendosmërisë së popullit tonë për dije, për dinjitet dhe për të ardhme më të mirë. Ato shënuan fillimin e një etape të re për arsimin e lartë në gjuhën amtare” – tha Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli.
Në vijim te fjalimit të tij Rektori u ndal tek e tashmja e kësaj vatre te dijes. Ai u shpreh se sot, pas tri dekadash nga ato fillime të vështira dhe plot sakrifica, Universiteti i Tetovës qëndron si dëshmi e gjallë se vizioni i themeluesve tanë ishte i drejtë dhe largpamës. Nga auditorët e improvizuar në shtëpitë e qytetarëve tanë, nga kushtet modeste dhe përballjet e shumta, sot kemi ndërtuar një institucion modern, të konsoliduar dhe të respektuar në hapësirën akademike kombëtare dhe rajonale. Ajo që dikur ishte një ëndërr e guximshme për arsim në gjuhën amtare, sot është një realitet i prekshëm me dhjetëra programe studimore, staf akademik të kualifikuar, laboratorë bashkëkohorë, dhe infrastrukturë në përmirësim të vazhdueshëm. “Duke u mbështetur në trashëgiminë e Prof. Dr. Fadil Sulejmanit dhe në sakrificën e brezave, sot Universiteti i Tetovës ka zgjeruar bashkëpunimin me universitete brenda dhe jashtë vendit, ka forcuar kërkimin shkencor dhe ka rritur praninë e tij në projekte ndërkombëtare, duke u shndërruar në një urë lidhëse mes traditës sonë akademike dhe standardeve evropiane të arsimit të lartë. Proceset e digjitalizimit, modernizimit të mësimdhënies dhe përfshirjes së teknologjisë në procesin mësimor nuk janë thjesht reforma teknike, por vazhdimësi e misionit fillestar për ta bërë dijen të qasshme, cilësore dhe në shërbim të shoqërisë. Në themelet e këtij institucioni qëndron kontributi i familjeve që hapën dyert e shtëpive të tyre për mësim, i studentëve të gjeneratave të para, i profesorëve nga vendi, Shqipëria dhe Kosova, si dhe i mërgatës sonë.” – nënvizoi Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli. Në përmbyllje të fjalimit ai tha se vizioni ynë është që Universiteti i Tetovës të vazhdojë të jetë qendër e ekselencës akademike, e inovacionit dhe e zhvillimit shoqëror. Veprimtari të tilla solemne na shërbejnë për të reflektuar mbi të kaluarën, për të vlerësuar të tashmen dhe për të ndërtuar me përgjegjësi të ardhmen. Si komunitet akademik dhe si shoqëri, mbetemi të përkushtuar në forcimin e bashkëpunimit, në kultivimin e vlerave demokratike dhe në ngritjen intelektuale, arsimore dhe kulturore të kombit tonë. Këto synime arrihen përmes dijes, ideve të guximshme dhe angazhimit të përhershëm.
Akademiku Prof. Dr. Arben Merkoçi u shpreh i lumtur që mori pjesë në Universitetin e Tetovës, pikërisht në shënimin e 31-vjetorit të ligjëratave të para. Ai theksoi se kjo është hera e parë që merr pjesë në një aktivitet me një audiencë kaq të gjerë në trojet shqiptare, duke nënvizuar se Universiteti i Tetovës është institucioni i parë që i ka bërë ftesë për të mbajtur një diskutim të tillë në kuadër të një ngjarjeje kaq të rëndësishme si ky përvjetor. Në vijim ai foli për rolin dhe potencialin e nanoteknologjisë në zhvillimin shkencor dhe teknologjik të rajonit të Ballkanit. Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet universiteteve, instituteve kërkimore dhe industrisë për të nxitur inovacionin dhe përhapjen e teknologjisë. Përmes kësaj ceremonie, Universiteti i Tetovës jo vetëm që përkujtoi rrugëtimin e tij historik, por edhe riafirmoi misionin e tij për të qenë një shtyllë e fortë e arsimit, kulturës dhe identitetit kombëtar, duke u angazhuar për të përballuar sfidat e kohës dhe për të kontribuar në zhvillimin e shoqërisë.















