Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Maqedoninë e Veriut, ekselenca e saj, Kate Marie Byrnes, sot qëndroi për vizitë në Universitetin e Tetovës, ku fillimisht realizoi një takim me drejtuesit e Universitetit, rektorin, Prof. Dr. Reshat Qahilin, prorektorin për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Prof. Dr. Shefik Shehun, dekanin e Fakultetit Juridik, Prof. Dr. Qebir Avziun, koordinatoren e Klinikës Juridike, Doc. Dr. Njomza Selimi – Osmanin dhe Mr. Sc. Donika Kamberin, drejtoreshë e Qendrës për Paqe dhe Komunikim Transkulturor.

Rektori i UT-së shprehu falënderimin e tij për mbështetjen që Ambasada e SHBA-ve i ka dhënë ndër vite Universitetit të Tetovës në realizimin e disa projekteve infrastrukturore, siç është Klinika Juridike, por edhe në lëmi të tjera që lidhen me procesin mësimor- shkencor dhe programet ndërkombëtare të shkëmbit të studentëve dhe stafit akademik. Ai, në shenjë mirënjohjeje për këtë bashkëpunim të frytshëm, ambasadores Kate Marie Byrnes i dhuroi portretin e humanistes së njohur, nobelistes shqiptare Shën Terezës. Pas këtij takimi u bë edhe përurimi i Klinikës Juridike të Fakultetit Juridik.

Prorektori për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Prof. Dr. Shefik Shehu tha se arsyeja e vërtetë që jemi këtu sot është krijimi i shumëpritur i Klinikës Juridike, që u mundësua nga bujaria e taksapaguesve amerikanë, e cila angazhon gjithnjë e më shumë komunitetin tonë akademik në promovimin e shtetit të së drejtës dhe drejtësisë. “Ky moment është kuptimplotë për mundësinë e brezave të studentëve të drejtësisë të përkushtuar ndaj të njëjtave parime që përcaktojnë popullin amerikan dhe veçojnë dokumentin revolucionar që është Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara: Barazia ligjore dhe vendosja e drejtësisë për të gjithë qytetarët”, thekoi prorektori për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Prof. Dr. Shefik Shehu.

Dekani i Fakultetit Juridik, Prof. Dr. Qebir Avziu tha se është nder dhe kënaqësi që në Fakultetin Juridik të Universitetit të Tetovës, të jetë e pranishme ekselenca e saj, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zonja Byrnes. Ai u shpreh se nuk gjen fjalë për të shprehur mirënjohjen ndaj popullit amerikan dhe për mbështetjen e tyre. “Kjo klinikë juridike është financuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe do të jetë një projekt që do të zhvillohet edhe viteve të ardhshme dhe kjo nënkupton që kohë pas kohe ne do të angazhojmë gjykatës, prokurorë, avokatë, noterë dhe profile të ndryshme të drejtësisë, të cilët praktikën dhe dijeninë e tyre do të duhet të vijnë dhe ta shpërndajnë me studentët tonë. Qëllimi është që studentët pasi që ta kryejnë Fakultetin Juridik, të jenë të gatshëm që të mund të implementojnë drejtësinë në praktikë. Qëllimi i kësaj klinike juridike që financohet nga SHBA-ja është pikërisht kjo, që në të ardhmen studentët tanë të kenë më shumë praktikë dhe të dinë se si zhvillohet puna në praktikë” u shpreh dekani, Prof. Dr. Qebir Avziu.

Ambasadorja e SHBA-ve në Maqedoninë e Veriut, Kate Marie Byrnes, me rastin e inaugurimit të Klinikës Juridike të Universitetit të Tetovës tha se kjo klinikë që sot e inaugurojmë bashkërisht është pjesë e rëndësishme e tërë punës sonë për përkrahjen e sektorit juridik në Maqedoni. “Ky është një investim për njerëzit që e bëjnë dallimin më të rëndësishëm, dhe ata janë liderët e rinj, këta prokurorë, gjyqtarë, avokatë, liderë te ardhshëm të të drejtave qytetare, të cilët kanë një vend të rëndësishëm për përfshirjen në edukimin ekselent, trajnimin rrënjësor, përvojën praktike dhe që do t‘i sjellë më afër njerëzve të cilëve do t’u shërbejnë. Shpresoj që këta të rinj që i qasen karrierës së tyre në gjyqësor me integritet, etikë, ata kanë përkrahje të fuqishme nga komuniteti akademik i këtij universiteti, profesorët, të cilët shpenzojnë kohë dhe energji për ta, vullnetarët, avokatët mbrojtës, që t’u ndihmojnë këtyre studentëve të rinj, dhe mendoj se si gjithmonë, në çdo vend dhe kudo në botë këta të rinj janë shpresa më e mirë, premtimi më i mirë dhe ekipi më i mirë”, tha ambasadorja e SHBA-ve në Maqedoninë e Veriut, Kate Marie Byrnes.

Në fund të këtij aktiviteti studentët e Fakultetit Juridik zhvilluan një seancë të improvizuar gjyqësore për të ilustruar se si implementohet teoria në praktikë.