Universiteti i Tetovës sot përmes një akademie solemne të organizuar në amfiteatrin “Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi” e shënoi 22 Nëntorin, Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe.
Në 116-vjetorin e Kongresit të Manastirit, Universiteti ynë po ashtu e përkujtoi edhe trashëgiminë e themeluesit të Universitetit të Tetovës. Me iniciativë të Kryetarit të Senatit të UT-së Prof. Dr. Vullnet Ameti është bërë botimi i tërësishëm i veprave të themeluesit dhe Rektorit të parë historik të UT-së Prof. Dr. Fadil Sulejmani, të cilat u promovuan sot dhe njëkohësisht, në hapësirat e Fakultetit Filologjik u inaugurua Këndi i Kujtesës “Fadil Sulejmani” që i kushtohet trashëgimisë së tij intelektuale dhe akademike.
Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Jusuf Zejneli duke iu referuar rëndësisë së Kongresit të Manastirit por edhe historisë së vet Universitetit tonë, theksoi se përmes këtij organizimi dinjitoz, ne e rikthejmë në kujtesën kolektive kontributin historik të figurave të ndritura, si: Naum Veqilharxhi, De Rada, Zef Jubani, Pashko Vasa, Konstadin Kristoforidhi, Vëllezërit Frashëri dhe rilindësit tjerë si dhe misionin e tyre, për ta shpëtuar çështjen kombëtare. “Krahas nderimit të përjetshëm për të gjithë aktorët e kësaj ngjarjeje historike, po ashtu sot në këtë veprimtari kulturore e kujtojmë me nderimet më të larta themeluesin, Rektorin e parë dhe historik të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Fadil Sulejmanin, dijetarin e guximshëm që hyri në histori me veprën kapitale, themelimin e Universitetit të parë në gjuhën shqipe në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Profesor Fadil Sulejmani e ndoqi rrugën titanike të misionarëve të Rilindjes kombëtare, përvijoji misionin e tyre në shërbim të kombit shqiptar kudo që ai jeton dhe vepron. Kongresi i Manastirit dhe Universiteti i Tetovës, janë histori të papërsëritshme suksesi dhe si të tillë do të kujtohen edhe nga gjeneratat që do të vijnë pas nesh” – shtoi ndër të tjera Rektori Prof. Dr. Jusuf Zejneli.
Për Kongresin e Manastirit dhe ndikimin e tij në identitetin kombëtar përfshirë rrafshin linguistik dhe atë politik foli dekani i Fakultetit Filologjik të UT-së Prof. Dr. Berton Sulejmani. Sipas tij, në 6 mbledhjet e mbajtura në shtëpinë e Gjergj Qiriazit, u hartua një program kombëtar prej 18 pikash, i cili u bë një nga dokumentet më të rëndësishme të Kongresit të Manastirit. “Në këtë dokument nga kërkesat kryesore politike ishin: Autonomi territoriale-administrative për Shqipërinë; Njohja zyrtare e kombësisë shqiptare dhe të gjuhës shqipe; Ngritja e arsimit të pavarur shqiptar duke i kthyer të gjitha shkollat e ulëta e të mesme shtetërore turke në Shqipëri në shkolla kombëtare shqiptare, në të cilat gjuhë e mësimit do të jetë gjuha shqipe, kurse turqishtja do të mësohej si lëndë e veçantë nga viti i katërt i shkollës fillore; Rëndësia e veçantë e këtij Programi Politik qëndron në atë se përmbysi pretendimet e turqve të rinj dhe turkoshakëve shqiptarë për ta kufizuar Kongresin vetëm me çështje të alfabetit. Kështu, pas nëntë ditësh pune, më 22 nëntor 1908, Kongresi i Manastirit hyri në historinë e kulturës shqiptare si Kongresi që vendosi për njësimin e alfabetit të gjuhës shqipe” – deklaroi mes tjerash dekani i Fakultetit Filologjik Prof. Dr. Berton Sulejmani
Në akademinë dedikuar 116-vjetorit të Kongresit të Manastirit u promovuan nëntë botime të Rektorit të parë të UT-së Prof. Dr. Fadil Sulejmani. Nismëtari i këtyre botimeve Kryetari i Senatit të UT-së Prof. Dr. Vullnet Ameti në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve falënderoi të gjithë kontribuuesit që kanë punuar për ribotimin e këtyre veprave, duke e bërë të mundur që ato të mbeten gjithmonë në sirtarin dhe këndin e kujtesës sonë kolektive. “Jam krenar që gjatë gjithë rrugëtimit tim intelektual dhe institucional, jam përpjekur me gjithë qenien time që emri i tij të jetë prezent kudo andaj ribotimi i këtyre veprave është një borxh moral që më në fund ndjej se po e përmbush, ndaj figurës që frymëzoi jo vetëm brezin e tij, por edhe çdo student, studiues dhe intelektual që kërkon të gjejë udhëzime në mendimet dhe shembullin e tij. Me këtë akt dua t’ju tregoj studentëve, studiuesve të ardhshëm dhe mbarë komunitetit akademik se Universiteti nuk është EMËR por FOLJE, është veprim edhe atë i vazhdueshëm sepse kur ne i shohim gjërat në këtë spektër, ne arrijmë të krijojmë një vetëdije identitare të vërtetë, e nëse ne i ikim historisë ajo largohet edhe më shumë, sepse jo rrallë herë na ka dëshmuar se identiteti mund hera-herës edhe të luhatet dhe nëse nuk insistojmë me fanatizëm e deri në vetëmohim t’i mbrojmë kauzat tona, simbolet, heronjtë, historinë, gjuhën dhe elementet dalluese që na karakterizojnë, atëherë nënvlerësojmë mundin, sakrificën dhe flijimin e pararendësve tanë. Mungesën do t’ia ndjejmë përherë më shumë, por, Profesorin e shohim çdo ditë jashtë përmes shtatores së tij ndërsa nga sot e tutje do ta shohim gjithandej edhe brenda me këndin e kujtesës, ai ndoshta nuk është fizikisht por vepra e tij jeton e frymon më fuqishëm se kurrë sepse Ai është i pranishëm përmes mospranisë.” – tha Kryetari i Senatit Prof. Dr. Vullnet Ameti.
Rreth përmbajtjes së veprave, vlerësimet e tyre para auditorit i paraqitën recensentët Prof. Dr. Salajdin Salihi – Prorektor për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Prof. Dr. Fatmir Sulejmani – ish-dekan i Fakultetit Filologjik të UT-së. Ky i fundit theksoi se përveç aktiviteteve të tij si veprimtar, Fadil Sulejmani e ka begatuar edhe fondin libror të dijeve shqiptare me një mori veprash të rëndësishme shkencore, të cilat i përurojmë sot, në këtë ambient të bukur të Universitetit tonë. “Veprimtaria shkencore e Fadil Sulejmanit është me shtrirje të gjerë në shumë fusha të albanologjisë, që nga fonetika, gramatika, leksikologjia e dialektologjia e gjer tek etnografia dhe folkloristika. Duke qenë të një rëndësie të veçantë, nuk ka dyshim se veprat e tij do të vazhdojnë të lexohen e të studiohen nga breza të tërë dijetarësh të së nesërmes, sepse ato hedhin dritë mbi tiparet etnopsikologjike të njeriut të kësaj ane, mbi të folmen e pasur dhe të pastudiuar më parë, mbi traditat, zakonet, doket, besëtytnitë e çka jo tjetër që, pa studimet e tij, do të gëlltiteshin pakthyeshëm nga dhëmbëzoret e kohës moderne” – deklaroi Prof. Dr. Fatmir Sulejmani.
Ndërsa Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar Prof. Dr. Salajdin Salihi theksoi se veprat shkencore të profesor Fadil Sulejmanit do të receptohen nga lexuesit e sotëm dhe të nesërm, sepse na pasurojnë me dije të thella, veçanërisht në fushën e albanologjisë. “Falë veprave shkencore dhe shoqërore, ai la gjurmë të pashlyeshme në pllakat e historisë dhe i siguroi vetes një formë tjetër ekzistenciale. Një ekzistencë eterike. Një rrojtje nëpërmjet kujtesës kolektive. Botimi i veprave të profesor Fadil Sulejmanit nga ana e Universitetit të Tetovës është përmbushje e një detyrimi moral dhe njëherësh është vlerësim i punës shkencore, akademike dhe shoqërore të profesorit. Kështu ua përcjellim brezave të ardhshëm kumtin se ata që ndërtojnë kështjella drite janë të pamort.” – vlerësoi Prof. Dr. Salajdin Salihi.
Po ashtu sot në këtë akademi u bë publik vendimi i Senatit të Universitetit të Tetovës, në mbledhjen e mbajtur më 19.11.2024 ku është vendosur t’i ndahet Çmimi Kombëtar “Fadil Sulejmani”, Prof. Dr. Haxhere Sulejmanit. Ky çmim i jepet znj. Haxhere Sulejmani, bashkëshortes së Rektorit Historik, Prof. Dr. Fadil Sulejmanit, për merita të veçanta dhe për kontributin e jashtëzakonshëm në themelimin dhe ngritjen e Universitetit të Tetovës.
Kjo akademi u përmbyll me një interpretim muzikor nga artistët, njëherit profesorë të Fakultetit të Arteve Selami Kolonja dhe Bajramali Idrizi të shoqëruar në piano nga Taulant Kolonja. Më pas në hapësirat e Fakultetit Filologjik u inaugurua Këndi i kujtesës i themeluesit dhe Rektorit të parë historik të UT-së Prof. Dr. Fadil Sulejmani. Sipas Kryetarit të Senatit të UT-së Prof. Dr. Vullnet Ameti pas titullit “Doctor Honoris Causa” në vitin 2012 dhe ngritjes së muzeut në Poroj në vitin 2013, pas konferencës shkencore mbi figurën e Prof. Dr. Fadil Sulejmanit dhe revistës shkencore kushtuar Profesorit, pas ngritjes së shtatores, pas emërtimit të Universitetit të Tetovës “Fadil Sulejmani”, pas botimit te Monografisë (1994/5-2004/5) dhe pllakatit simbolik i cili u jepet figurave të shquara të kombit ku është e gravuar thënia e tij ikonike: “…ne duam lapsin dhe fletoren, nuk duam dhunë!”, pas krijimit të Fondacionit “Fadil Sulejmani” për Shkencë dhe Inovacion dhe pas Çmimit Kombëtar “Fadil Sulejmani”, me Këndin e kujtesës përfundon misioni i tij sepse gjithmonë në vegimet e tij e ka imagjinuar ribotimin e veprave të Fadil Sulejmanit mu kështu siç u promovuan sot në 116- vjetorin e Kongresit të Manastirit. Ai më tej theksoi: “Admirimi dhe respekti për figurën e Prof. Dr. Fadil Sulejmanit është i lartë aq sa është e thellë dhimbja që nuk e kemi mes nesh për ta parë të ulur tek Këndi i tij, pra Këndi ynë i kujtesës”.
Po ashtu sot në shenjë mirënjohjeje për kontributin e dhënë si Rektor i Universitetit të Tetovës e më herët edhe në detyra të tjera si dekan i Fakultetit Juridik, si udhëheqës i Parlamentit Studentor dhe gjithë kontributit të tij që ka dhënë në Universitetin e Tetovës, Kryetari i Senatit Prof. Dr. Vullnet Ameti, Rektorit të UT-së Prof. Dr. Jusuf Zejneli i ndau pllakatin me portretin e themeluesit dhe Rektorit historik Prof. Dr. Fadil Sulejmani. Të njëjtin pllakat, ditë më parë ua ka ndarë edhe dekanëve të njësive të tjera akademike të Universitetit të Tetovës.