Nën organizimin e Fakultetit të Kulturës Fizike të Universitetit të Tetovës dhe me mbështetje të Klubit të Shahut “Shkëndija”, më 3 dhjetor 2021, në sallën e sporteve të universitetit tonë u mbajt turneu studentor në shah.

Ky turne tanimë është shndërruar në manifestim tradicional dhe u organizua për nder të ditëlindjes (5 dhjetor 1940), së themeluesit dhe rektorit të parë të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Fadil Sulejmani. Në këtë turne morën pjesë gjithsej 30 shahistë, të gjithë studentë nga njësitë e ndryshme akademike të Universitetit tonë.

Garat u zhvilluan sipas sistemit zviceran me 9 xhiro dhe me kohë të limituar prej 10 minutash për secilin lojtar. I gjithë ky organizim u zhvillua në një atmosferë pozitive, ndërsa garuesit shprehën konsideratë të veçantë ndaj njëri – tjetrit dhe u treguan korrektë në respektimin e rregullave gjatë lojës.

Me përfundimin e 9 xhirove u shpallën edhe fituesit, ku tri vendet e para u shpërblyen me kupa. Fitues i këtij turneu u shpall studenti Bashkim Luma, i cili grumbulloi gjithsej 8 pikë. Kupën për vendin e parë e ndau u.d. rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Reshat Qahili. Kupën për vendin e dytë, me 7 pikë të fituara, studentit Premtim Jakupi ia ndau nënkryetari i Federatës së Shahut të Maqedonisë së Veriut, Agim Shemshiu, ndërsa vendi i tretë i takoi studentit Geldon Ibishi, me 6,5 pikë të fituara, të cilit kupën ia ndau dekani i Fakultetit të Kulturës Fizike, Prof. Dr. Haki Ismaili.

Për pozitat nga vendi i katër deri në vendin e shtatë u ndanë medalje, të cilat ua ndanë kryetarja e Parlamentit Studentor, zonjusha Eliesa Zhaku dhe kryetari i Klubit të Shahut “Shkëndija”, Setki Misimi. Po ashtu, për të gjithë garuesit u ndanë edhe certifikata në shenjë mirënjohjeje për pjesëmarrjen në këtë turne. Mirënjohjet u ndanë nga asistentët e turneut, Florian Nesimi dhe Faton Ganiu.