Në Fakultetin e Shkencave të Zbatuara të Universitetit të Tetovës u zhvillua një ligjëratë nga Prof. Dragica Vasileska, anëtare e IEEE dhe profesoreshë e Inxhinierisë Elektrike në Arizona State University.
Gjatë ligjëratës, Prof. Vasileska prezantoi temën mbi elektronikën kompjuterike dhe rëndësinë e saj për zhvillimin e nanoelektronikës në të ardhmen. Ajo diskutoi mbi përfitimet dhe aftësitë që ofron modelimi dhe simulimi kompjuterik në projektimin e pajisjeve gjysmëpërçuese, duke theksuar rolin e tyre si mjete të domosdoshme për inxhinierët. Sipas saj, simulimet mundësojnë kuptimin e fenomeneve të cilat shpesh janë të pamundura të maten drejtpërdrejt në pajisjet reale.
Ligjërata dhe vizita e saj në Universitetin e Tetovës u realizuan në kuadër të projektit të IOM-it “Supporting Brain Gain Diaspora Engagement Initiatives in North Macedonia” (Mbështetja e Iniciativave të Angazhimit të Diasporës për Brain Gain në Maqedoninë e Veriut), të financuar nga IOM Development Fund.
Për rëndësinë e këtij projekti, foli edhe Prof. Dr. Drita Mamuti Fazlija, e angazhuar nga IOM, e cila theksoi se kjo nismë paraqet një mundësi të vlefshme për ndërtimin e urave të bashkëpunimit dhe forcimin e lidhjeve me studiuesit që merren me studime serioze shkencore.




