Në hapësirat e Klinikës Juridike të Fakultetit Juridik të Universitetit të Tetovës u realizua pjesa e parë e trajnimit për studentët e klinikave juridike në Tetovë.
Trajnimi “Sigurimi i ndihmës juridike falas në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, u organizua në bashkëpunim me Klinikën Juridike të Universitetit të Tetovës, Klinikën Juridike të UEJL dhe Zyrën Programore të Këshillit të Evropës në Shkup e cila e financoi realizimin e tij. Kjo veprimtari është pjesë e projektit “Për një sistem të konsoliduar dhe më efikas të ndihmës juridike falas në Maqedoninë e Veriut’’ i cili është pjesë e programit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë’’.
Trajnimin e hapi zonja Irena Cuculoska Jakimovska, menaxhere e lartë e projektit nga Zyra Programore e Këshillit të Evropës në Shkup, e cila foli për rëndësinë e projektit për studentët e klinikave juridike në Maqedoninë e Veriut si dhe fazat e realizimit të këtij projekti nga ana e Zyrës Programore të Këshillit të Evropës. Në fjalën e saj përshëndetëse Doc. Dr. Njomza Selimi Osmani, koordinatore e Klinikës Juridike në Universitetin e Tetovës, theksoi rëndësinë e funksionimit të këtyre klinikave dhe mundësinë që ato u japin studentëve për të bërë hapat e parë të punës praktike në profesionin për të cilin ata janë duke studiuar. Prof. Dr. Arta Mero, koordinatore e Klinikës Juridike të UEJL potencoi punën që klinikat bëjnë si dhe impaktin shoqëror që këto klinika arrijnë të japin në këto vite të funksionimit të tyre.
Pjesa e parë e këtij trajnimi që u realizua sot, u fokusua në ndihmën juridike primare si komponentë e parë e ofrimit të ndihmës juridike falas sipas Ligjit për ndihmë juridike falas, gjatë të cilit trajnueset e certifikuara për realizimin e këtyre trajnimeve nga ana e Zyrës Programore të Këshillit të Evropës Doc. Dr. Njomza Selimi – Osmani dhe Prof. Dr. Arta Mero, prezantuan kornizën ligjore dhe realizuan ushtrime praktike me studentët e Fakultetit Juridik të të dyja klinikave juridike.






