Në Universitetin e Tetovës i filloi punimet Kongresi Ndërkombëtar i Shkencave Natyrore, Mjekësore dhe Teknologjive, një ngjarje shkencore me rëndësi të veçantë e cila bashkon akademikë, studiues dhe profesionistë nga vende të ndryshme të botës, për të ndarë njohuritë dhe përvojat e tyre. Në këtë kongres përfshihen: Konferenca e 10-të Ndërkombëtare e Shkencave Sportive; Konferenca e 9-të Shkencore Ndërkombëtare e Shkencave të Zbatuara; Konferenca e 8-të Shkencore Ndërkombëtare e Fakultetit të Shkencave Mjekësore; Konferenca e 7-të Ndërkombëtare e Shkencave Matematike – Natyrore; Konferenca e 5-të Ndërkombëtare e Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit dhe Konferenca e 3-të ndërkombëtare e Fakultetit të Bujqësisë dhe Bioteknologjisë.

Në ceremoninë solemne, auditorit iu drejtua Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli. Ai tha se kongresi i këtij viti është një pasqyrë e kësaj përpjekjeje të vazhdueshme për të avancuar dijen dhe për të krijuar mundësi të reja për hulumtime ndërkombëtare. Sipas tij, tema të ndryshme, si zhvillimi i qëndrueshëm, teknologjitë e reja, shëndetësia, ndikuar më tej nga ndryshimet klimatike dhe shoqërore, do të jenë në fokus të diskutimeve nga studiusit shkencorë. “Jemi të sigurt që secili nga ju, me eksperiencën tuaj, do të ofroni ide dhe perspektiva të reja, të cilat do të ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e shoqërisë dhe zhvillimin e mëtejshëm të sektorëve të ndryshëm të kërkimit dhe inovacionit. Për Universitetin e Tetovës, ky kongres është një mundësi për të forcuar lidhjet me universitete dhe institucione të tjera shkencore nga e gjithë bota. Ne jemi të bindur se ky bashkëpunim ndërkombëtar është çelësi i avancimit të shkencës dhe arritjeve të reja, duke krijuar mundësi për shkëmbime të ideve dhe krijimin e partneriteteve të qëndrueshme.” – tha mes tjerash Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli.

Për kongresin foli edhe Prorektori për Shkencë i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti i cili tha se ky kongres, tashmë i konsoliduar në traditë dhe i njohur për cilësinë e përmbajtjes shkencore, përfaqëson një udhëkryq të frytshëm ndërdisiplinor, ku takohen idetë, ku bashkohen dijet dhe ku bashkëpunimet marrin jetë. “Në këtë tribunë të hapur, mendimi kritik, hulumtimi i avancuar dhe vizioni për të ardhmen gjejnë shprehjen më të lartë. Andaj kjo ngjarje shkencore, dëshmon edhe një herë se misioni ynë universitar lartësohet nga shkenca. Në një kohë kur bota përballet me sfida të paprecedenta – që nga ndryshimet klimatike e deri te transformimet e shpejta teknologjike, nga pandemitë globale e deri te përballjet me pasiguri ekonomike dhe politike – përgjigjja më e qëndrueshme dhe më e fuqishme është ajo që vjen nga dija, nga kërkimi shkencor dhe nga bashkëpunimi ndërinstitucional. Ky kongres është pikërisht një dëshmi e gjallë e këtij përkushtimi kolektiv: për të ndërtuar ura mes disiplinave, për të bashkuar dije dhe për të kontribuuar në krijimin e një shoqërie më koshiente për sfidat që duhet t’i kalojë e t’u gjejë zgjidhje adekuate. Në këtë kontekst, Universiteti i Tetovës është qendër graviteti për kërkimin shkencor, një laborator i ideve të guximshme dhe një ndërmjetës i rëndësishëm i dijes në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm të shoqërisë sonë. Misioni dhe vizioni ynë janë të ngulitur në përpjekjen për të çuar përpara standardet akademike, për të thelluar ndërdisiplinaritetin dhe për të forcuar ndërkombëtarizimin, si mjete të domosdoshme për përparim të qëndrueshëm. Diversiteti tematik, ndërdisiplinariteti i theksuar dhe dialogu profesional e bëjnë këtë kongres një ngjarje të pakrahasueshme për nga përmbajtja dhe ndikimi që ka e do të ketë. Në mënyrë të veçantë, kemi nderin e jashtëzakonshëm që në këtë kongres, si folës kryesor, të kemi një prej personaliteteve më të shquara të mjekësisë në rajon – Prof. Dr. Mentor Petrela. Një figurë e rrallë që gërsheton ekselencën shkencore, përkushtimin ndaj arsimit të lartë dhe përvojën e thellë klinike në neurokirurgji, ai përfaqëson atë që mjekësia dhe akademia duhet të jenë në thelbin e tyre: humanizëm i thellë dhe mendim kritik.” – tha mes tjerash Prorektori për Shkencë i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti.

Folës kryesor në këtë kongres ishte neurokirugu i njohur ndërkombëtarisht, Prof. Dr. Mentor Petrela, i cili ligjëroi mbi temën: “Inteligjenca artificiale: Një dritare që duhet hapur tani”.

Në kuadër të këtij kongresi, u prezantuan edhe numrat e rinj të revistave shkencore të Universitetit të Tetovës që përfshijnë: Acta Medica Balkanica – numër 17-18; International Journal of Food Technology and Nutrition – numër 13-14; Journal of Applied Sciences – numër 19-20 Journal of Natural Sciences and Mathematics of UT – numër 17-18; SPORT AND HEALTH – numër 23-24 dhe Journal of Agriculture and Sustainable Rural Development – numër 3-4.

Në përmbyllje të ceremonisë solemne, Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli  në shenjë falënderimi dhe mirënjohjeje për pjesëmarrjen e tij, doktor Mentor Petrelës i ndau një dhuratë me portretin e Nënë Terezës. Ndërsa Prorektori për Shkencë, Prof. Dr. Vullnet Ameti doktor Petrelës i ndau Monografinë e Universitetit të Tetovës. Ndërkaq mirënjohjet për sponsorët e  konferencës, “Zegin”, “Kemopharmacy”, “Galapharm” dhe “Medlife” i ndau Prorektorja për Financa, Prof. Dr. Aida Baftijari – Yzeiri. Punimet e kongresit do të mbarojnë nesër, ku do të përfshihen sesione të ndryshme plenare me tematika të ndryshme, prezantime shkencore, punëtori dhe diskutime interaktive, që synojnë të nxjerrin në pah zhvillimet më të fundit në disiplinat përkatëse.