Me iniciativë të Parlamentit Studentor të Universitetit të Tetovës, përkatësisht të studentëve të programit studimor Gjuhë dhe Letërsi Angleze të Fakultetit Filologjik, sot në UT u zhvillua debat me temën: “AI: Are the Benefits Worth the Risks?” Në debat u shtjelluan argumente pro dhe kundër përdorimit të inteligjencës artificiale. Pro përdorimit të saj ishin studentet Agnesa Rexhepi, Elma Mazllami dhe Iknura Bahtijareska, të cilat sollën argumente në mbështetje të përfitimeve të shumta që ofron inteligjenca artificiale. Ato veçuan përdorimin e AI-së në arsim, ku ndihmon në personalizimin e procesit të të nxënit dhe lehtësimin e kërkimit shkencor, si dhe në shëndetësi, ku kontribuon në diagnostikim më të saktë dhe trajtime më efikase. Një tjetër pikë që u trajtua nga ekipi pro ishte udhëtimi historik i zhvillimit teknologjik, duke theksuar se çdo epokë e re ka sjellë fillimisht frikë, por më pas ka rezultuar në përmirësim të cilësisë së jetës njerëzore.

Ndërkaq, studentet Rona Munishi, Bedrana Hebibi dhe Enisa Amzai, paraqitën rreziqet që shoqërojnë përdorimin e inteligjencës artificiale. Ato diskutuan për mungesën e kontrollit mbi AI-në, rreziqet etike, cenimin e privatësisë dhe humbjen e vendeve të punës për shkak të automatizimit. Po ashtu, u ngrit edhe shqetësimi për varësinë e tepërt nga teknologjia, e cila mund të ndikojë negativisht në zhvillimin e aftësive mendore dhe krijuese të individit.

Në këtë aktivitet, asistentja Fulbright nga SHBA, Michelle Morgan, foli para studentëve për zhvillimin e aftësive në strukturimin e argumenteve për një diskutim të suksesshëm dhe profesional.

Ky debat u vlerësua si një nismë, që nxit mendimin kritik, përforcon aftësitë komunikuese të studentëve dhe promovon diskutimin mbi tema bashkëkohore.