Në Fakultetin Pedagogjik të Universitetit të Tetovës, Ambasadori i Paqes, përkatësisht Presidenti i Institutit për Bashkëpunim dhe Zhvillim – Francë dhe Gjenevë, z. Tahir Shabani mbajti ligjëratë me temë: “Përballja me sfidat sociale dhe kulturore të të rinjve – Si t’i përgatisim studentët për një shoqëri të larmishme”.
Dekani i Fakultetit Pedagogjik Prof. Dr. Lulzim Mehmedi në fjalën e tij theksoi se është një nder i veçantë dhe kënaqësi e madhe që sot, në ambientet e Fakultetit Pedagogjik, kemi mes nesh një personalitet të shquar të diplomacisë dhe angazhimit shoqëror. “Në një botë që po ndryshon me shpejtësi, ku kufijtë fizikë po zbehen dhe larmia kulturore është bërë pjesë e përditshmërisë sonë, roli i arsimtarit dhe pedagogut po transformohet. Edukimi nuk është më vetëm transferim njohurish, por ndërtim urash. Misioni ynë është të formojmë breza që nuk i tremben ndryshimit, por e përqafojnë atë me tolerancë dhe pjekuri. Z. Shabani sjell sot një perspektivë ndërkombëtare nga qendrat e diplomacisë botërore, Gjeneva dhe Franca, për të na treguar se si vlerat e bashkëpunimit dhe zhvillimit mund të integrohen në rrugëtimin tonë akademik dhe profesional.” – tha dekani i Fakultetit Pedagogjik, Prof. Dr. Lulzim Mehmedi.
Në ligjëratën e tij, z.Tahir Shabani foli për përballjen me sfidat sociale dhe kulturore, si pjesë thelbësore e formimit të të rinjve në ditët e sotme. Ne jetojmë në një shoqëri gjithnjë e më të larmishme, ku ndërveprimi me kultura, ide dhe perspektiva të ndryshme është i pashmangshëm.
“Përgatitja e studentëve për këtë realitet kërkon më shumë sesa njohuri teorike. Ajo kërkon zhvillimin e aftësive si mendimi kritik, empatia, komunikimi ndërkulturor dhe aftësia për të bashkëpunuar me të tjerët, pavarësisht dallimeve. Universitetet dhe institucionet arsimore kanë një rol kyç në këtë proces, duke krijuar hapësira gjithëpërfshirëse, duke nxitur dialogun dhe duke promovuar respektin për diversitetin. Diplomacia kulturore dhe bashkëpunimi akademik luajnë një rol të rëndësishëm në lidhjen e universiteteve me njëri-tjetrin dhe me shoqërinë. Përmes këtyre proceseve krijohen partneritete të qëndrueshme ndërmjet institucioneve, duke mundësuar shkëmbimin e njohurive, përvojave dhe praktikave më të mira. Këto bashkëpunime janë të rëndësishme jo vetëm në nivel institucional, por edhe për vetë studentët. Ato kontribuojnë drejtpërdrejt në zhvillimin profesional dhe personal, duke i ekspozuar ndaj kulturave të ndryshme dhe mënyrave të reja të të menduarit. Si rezultat, studentët përgatiten më mirë për të vepruar në një botë gjithnjë e më globale, ku bashkëpunimi, diversiteti dhe fleksibiliteti janë thelbësore për suksesin. Diplomacia kulturore dhe bashkëpunimi akademik ndërtojnë ura mes universiteteve, ku shkëmbimi i njohurive dhe praktikave më të mira formëson studentë të gatshëm për një botë pa kufij”, deklaroi z.Tahir Shabani.
Në këtë aktivitet morën pjesë profesorë, ekspertë të fushës përkatëse dhe një numër i konsiderueshëm studentësh, të cilët ndoqën me interes ligjëratën dhe u përfshinë në diskutime interaktive. Gjatë ligjëratës u theksua nevoja për zhvillimin e aftësive si mendimi kritik, empatia, komunikimi ndërkulturor dhe bashkëpunimi, të cilat janë thelbësore për suksesin personal dhe profesional. Po ashtu, u diskutua roli i institucioneve arsimore në krijimin e hapësirave gjithëpërfshirëse si dhe në nxitjen e bashkëbisedimit dhe mirëkuptimit ndërmjet kulturave të ndryshme.





