Më 10 Dhjetor 2021 në Fakultetin Juridik të Universitetit të Tetovës u organizua panel diskutimi për nder të Ditës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut. Fillimisht u shfaq një video e animuar, e cila kishte për qëllim dhënien e një mesazhi simbolik për dhunën në familje pasi që kjo dukuri fatkeqësisht ka shënuar rritje gjatë pandemisë dhe përbën një sfidë për organet e drejtësisë, të cilat janë përgjegjëse për ta luftuar atë.
Dekani i Fakultetit Juridik, Prof. Dr. Qebir Avziu, i falënderoi panelistët për gatishmërinë e treguar për të qenë pjesë e këtij paneli për të diskutuar për liritë dhe të drejtat themelore të njeriut. “Ne jemi shumë të nderuar sot që një numër i madh i përfaqësuesve të pushtetit gjyqësor kanë ardhur në Fakultetin Juridik. Me këtë na kanë nderuar si Universitet, na kanë nderuar edhe si Fakultet Juridik, por në mënyrë të veçantë dëshiroj që të përshëndes dhe të falënderoj profesorin Milaim Fejziu për të gjithë kontributin që e ka dhënë për ngritjen e këtij Universiteti. E përshëndes edhe prorektorin, Prof. Dr. Vullnet Ameti për ngritjen e këtij Universiteti, sidomos në dekadën e fundit. I falënderoj të gjithë ata që kontribuuan në ngritjen dhe zhvillimin e këtij Universiteti. Ne, gjeneratat e reja besoj që do të vazhdojmë me të njëjtin avaz, ndoshta edhe me një ritëm më të shpejtë në ngritjen e këtij Universiteti. Faleminderit që jeni të pranishëm, ndërsa panelistëve ju uroj punë të mbarë” – tha Prof. Dr. Qebir Avziu.
Në mesin e ekspertëve në panel ishin kryetari i Gjykatës së Apelit z. Bekim Mehmedi, specialisti i çështjeve të drejtësisë dhe profesor i Fulbright-it nga SHBA, z. Jim Lofton, zëvendësja e avokatit të popullit, znj. Suzana Saliu, udhëheqësi i Institutit për të Drejtat e Njeriut Prof. Dr. Ali Musliu dhe udhëheqësja e klinikës juridike në Fakultetin Juridik Doc. Dr. Njomza Osmani si dhe profesionistë të çështjeve të drejtësisë në periudhën e pandemisë Covid-19.
Sipas tyre gjatë këtyre dy viteve deri sa bota është përballur me pandeminë globale Covid -19 edhe në vendin tonë është vërejtur se ka kufizime të lirive dhe të drejtave të njeriut. Ata mes tjerash u shprehën se njerëzit duhet të kërkojnë sa më shumë liritë dhe të drejtat e tyre, pasi i kanë të garantuara edhe me kushtetutë. Theksi ishte tek pandemia, e cila ka rritur ndjeshëm cenimin dhe shkeljen e të drejtave të njeriut. Gjatë pandemisë janë marrë një varg dekretesh dhe urdhrash nga organet kompetente që kishin të bëjnë me kufizimin dhe lirinë e të drejtave të njeriut, të cilat kanë ndikuar në mënyrë negative. Ata po ashtu ndanë mendimin e përbashkët se çdo individ duhet të dënojë shkeljen, cenimin apo kufizimin e të drejtave të njeriut, pasi liria është parimi themelor i të drejtave të njeriut.
Në këtë debat morën pjesë një numër i madh i personaliteteve nga sfera të ndryshme në mesin e të cilëve u.d. rektori i UT-së, Prof. Dr. Reshat Qaili, prorektori për arsim, Prof. Dr. Vullnet Ameti, kryetari i Senatit, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, përfaqësues nga ambasada e Amerikës, prokurorë të shtetit, gjykatës, noterë, avokatë, profesorë universitarë, dekanë dhe studentë.
Kjo ngjarje u përmbyll përmes bashkëbisedimit të panelistëve dhe të pranishmëve, kryesisht studentëve, të cilët ishin mjaft kureshtarë për të marrë informacione të ndryshme rreth temës përkatëse. Dita Botërore e të Drejtave të Njeriut festohet çdo vit më 10 Dhjetor – dita kur Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, në 1948, miratoi Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut, e cila u nënshkrua nga 56 shtete anëtare.