//Në UT filloi afati i parë i regjistrimit të studentëve

Në UT filloi afati i parë i regjistrimit të studentëve

2021-08-30T15:04:58+00:00 Gusht 30, 2021|

Në Universitetin e Tetovës, prej sot 30 gusht e deri më 3 shtator 2021 do të realizohet afati i parë i regjistrimit të studentëve të rinj për vitin akademik 2021/2022. Universiteti i Tetovës duke pasur parasysh situatën me të cilën po përballet vendi ynë gjatë këtyre ditëve, me pandeminë Covid – 19, i ka marrë të gjitha masat e nevojshme për mbrojtje nga përhapja e virusit. Nisur nga kjo situatë, Universiteti i Tetovës ka angazhuar një numër të konsiderueshëm të administratës që të ndihmojnë në mbarëvajtjen dhe lehtësimin e procesit të regjistrimit.

Këtë vit Universiteti ynë do të pranojë studentë të rinj në të gjitha 13 njësitë akademike. Interesimi i studentëve për t’u regjistruar në Universitetin tonë është i kënaqshëm, ndërsa kandidatët e kanë vlerësuar lart organizimin e këtij procesi dhe shpresojnë që në të ardhmen pas shpalljes së rezultateve  edhe ata të marrin statusin e studentit të UT-së.

Më 4 shtator do të zhvillohet kontrolli i njohurive dhe aftësive për disa programe studimore dhe kategori të caktuara, ndërsa më 6 shtator do të shpallen rezultatet preliminare, kurse ato përfundimtare më 7 shtator. Studentët, të cilët do të pranohen janë të obliguar që pas pranimit të fillojnë me procedurat për regjistrimin e semestrit të parë.

Nga UT apelojnë deri te të gjithë  kandidatët të cilët dëshirojnë që studimet e tyre t’i vijojnë në Universitetin tonë, që gjatë kësaj periudhe të jenë sa më të kujdesshëm ndaj virusit dhe të respektojnë masat për mbrojtje të cilat janë rekomanduar edhe nga Komisioni për Sëmundje Infektive në vendin tonë dhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.