Në Fakultetin Juridik të Universitetit të Tetovës, sot këshilltari i lartë i ministrit për çështjet e euro-integrimeve të Francës z. François Lafond, para stafit akademik dhe studentëve mbajti një ligjëratë me temë “Sfidat e Evropës së sotme”.
Dekani i Fakultetit Juridik të Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Qebir Avziu e falënderoi z. Francois Lafond që ka pranuar ftesën për të mbajtur ligjëratë për sfidat e BE-së në të ardhmen dhe zgjerimin e saj. “Ky është një aktivitet shumë i rëndësishëm për studentët dhe profesorët e Fakultetit Juridik të Universitetit të Tetovës, sikur dhe fakti që kemi në mesin tonë profesorin nga Fakulteti Juridik i Universitetit të Parisit. Ai mbajti një ligjëratë për integrimet e Maqedonisë në Bashkimin Evropian. Besoj se ligjërata do të ngjallë një interes të veçantë nga ana e studentëve dhe do të parashtrohen pyetje mjaft interesante” – tha Prof. Dr. Qebir Avziu.
Këshilltari i lartë i ministrit për çështjet e euro-integrimeve të Francës z. François Lafond tha se Evropa nuk është një koncept shumë i largët për Maqedoninë. Sipas tij trajektorja e cila duhet të ndiqet deri në Evropë vërehet se tani më veçse ka filluar. “Jam shumë i kënaqur që sot jam në Fakulteti Juridik të Universitetit të Tetovës që të prezantoj disa mundësi të integrimit të Maqedonisë në Bashkimin Evropian. Gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor të kenë mundësi që të kyçen në integrimin evropian. Për shtetet e Bashkimit Evropian, integrimi i shteteve është me rëndësi të veçantë pikërisht për atë që të jetë në suaza të asaj që shtetet që integrohen të kenë një nivel dhe të përgatiten për integrimet” – tha z. François Lafond
Po ashtu ai gjatë prezantimit të tij tha se Maqedonia ka shënuar hapa të rëndësishëm drejt anëtarësimit në BE, dhe për këtë, shembull më të mirë mund të përmendim programin Erasmus plus, që është një program i cili bën shkëmbimin e studentëve dhe profesorëve mes universiteteve dhe Maqedonia veçse e implementon këtë program. Po ashtu liberalizimi i vizave, hapja e negociatave për emrin dhe disa pika të tjera gjithnjë e më shumë e afrojnë Maqedoninë drejt Bashkimit Evropian.