Ajo, gjithashtu u shpreh se, meqë muaji tetor botërisht konsiderohet si muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, ne për çdo vit mundohemi që me aktivitete të ndryshme të ndihmojmë në rritjen e vëmendjes dhe mbështetjes për vetëdijen, zbulimin dhe trajtimin e hershëm, si dhe kujdesin për këtë sëmundje.
Dekani i Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë, Prof. Dr. Sahmedin Sali, duke iu referuar sëmundjes së kancerit të gjirit u shpreh se kohëve të fundit, për nga përhapja kjo sëmundje ka marrë një hov të madh. “Institucionet e mirëfillta shtetërore, politikat e ndryshme shëndetësore etj., kanë për qëllim që të marrin masat paraprake me të cilat do të bëjnë zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit. Ne e dimë se njëra nga metodat kryesore për të parandaluar mosparaqitjen e kësaj sëmundje është kontributi që duhet dhënë mbi vetëdijesimin e popullatës dhe e gjithë kjo realizohet përmes një serë aktivitetesh, dhe unë për këtë dua ta përgëzoj Grupin shkencor për punën e tyre që bëjnë dhe njëkohësishtë dua të falënderoj edhe panelin e profesorëve të cilët janë përgjigjur pozitivisht ftesës së studentëve për të diskutuar mbi këtë sëmundje”, tha Prof. Dr. Sahmedin Sali.
Kryetari i Klubit Rotarian, z. Mevaip Abdiu, në cilësinë e mbështetësit të këtij aktiviteti, u shpreh se është nder dhe kënaqësi të bëhesh bashkë me studentët e Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë të UT-së për të realizuar një aktivitet kushtuar sëmundjeve të kancerit të gjirit. “Vetë organizimi i kësaj ligjërate le të shërbejë si shtytje e të gjitha grave për një kontroll dhe diagonostifikim sa më të hershëm, në mënyrë që të kemi efektin pozitiv për shërimin e kësaj sëmundje. Përmes kësaj ligjërate do të arrijmë që të përcjellim mesazhin deri tek opinioni për rrezikun e kësaj sëmundje dhe zbulimin sa më të hershëm”, theksoi z. Mevaip Abdiu.
Lidhur me paraqitjen e shpeshtë të kësaj sëmundjeje, çka është kanceri i gjirit, cilët janë llojet dhe çka e shkakton atë, cilët janë faktorët e rrezikut, si të diagnostifikohet me kohë kanceri i gjirit e të tjera, ligjëruan radiologët, Mr. Sc. Argjend Imeri, Doc. Dr. Maja Jakimovska, specialistja e onkologjisë Dr. Spec. Vjollca Skenderi dhe kirurgu Fatmir Saliu.
Pas prezantimeve të panelistëve nga ana e të pranishmëve u parashtruan një sërë pyetjesh në lidhje me kancerin e gjirit, ndërsa aktiviteti u përmbyll me një fjalim motivues për të gjitha gratë e prekura nga kjo sëmundje, nga Kryetarja e Komunës së Tetovës, znj. Teuta Arifi, si një e prekur nga kjo sëmundje, e cila foli për përvojën e saj personale, vite më parë, në luftimin dhe përballimin e kësaj sëmundje
Zyra për Informim