“Gjuha e urrejtjes gjatë kampanjës zgjedhore parlamentare 2020 në Republikën e Maqedonisë së Veriut: efektet në sjelljen e qytetarëve në relacionet intergrupore” ishte libri që sot u promovua në Universitetin e Tetovës.
Ky libër vjen si rezultat i projektit hulumtues nga Qendra për Paqe dhe Komunikim Transkulturor që funksionon në kuadër të UT-së. Veç kësaj, libri ka për qëllim shpjegimin e atmosferës së krijuar gjatë kampanjës zgjedhore që paraqiti një precedent të ri në fushën e komunikimit, ndërsa studiuesit e kanë analizuar fenomenin dhe prezencën e gjuhës së urrejtjes ndërgrupore.
Drejtuesja e Qendrës për Paqe dhe Komunikim Transkulturor në kuadër të Universitetit të Tetovës, Mr. Sc. Donika Kamberi theksoi se libri që u promovua sot, “Gjuha e urrejtjes gjatë kampanjës zgjedhore parlamentare 2020 në Republikën e Maqedonisë së Veriut: efektet në sjelljen e qytetarëve në relacionet intergrupore” është fryt i një pune shumë të madhe për gati një vjet e gjysmë. “Ideja erdhi nga një grup studiuesish të Universitetit të Tetovës. Fillimisht nisi si projekt hulumtues, ndërsa pastaj ky projekt u formësua përmes Qendrës për Paqe dhe Komunikim Transkulturor, që e drejtoj unë. Tema që ka prekur ky libër ka të bëjë ekskluzivisht me gjuhën e urrejtjes por studiuesit, që janë nga shkencat sociale dhe humane i kanë dhënë qasje të ndryshme, e kanë analizuar në aspekt filozofik, linguistik, në aspekt juridik përmes optikës legale. Grupi punues që është marrë me projektin ka qenë një grup shumë i madh. Ata janë ndarë në grupin e transkriptuesve, pra ata që kanë transkriptuar çdo dalje publike qoftë të liderëve të opozitës apo ata të pozitës nga të dy taborët: maqedonase dhe shqiptare dhe grupi i studiuesve që këto të dhëna empirike i kanë marrë dhe i kanë futur në punimet e tyre pavarësisht qasjeve që i kanë ndjekur”- tha drejtuesja e Qendrës për Paqe dhe Komunikim Transkulturor në kuadër të Universitetit të Tetovës, Mr. Sc. Donika Kamberi.
Recensenti i këtij libri, Prof. Dr. Lulzim Murtezani, deklaroi se gjuha e urrejtjes është më se evidente. Promovimi i këtij libri është në funksion të sensibilizimit të qytetarëve, sensibilizimit të shoqërive dhe të politikëbërësve lidhur me rëndësinë që ka kufizimi, orientimi i qytetarëve lidhur me mundësinë e përhapjes së gjuhës së urrejtjes. “Në këtë libër janë përfshirë në mënyrë ekzakte shumë studime direkte, të cilat pasqyrojnë momentet që kanë shënuar kampanjën parlamentare të viteve të njëzeta: si ka qenë në përgjithësi mentaliteti, si kanë qenë perceptimet e qytetarëve lidhur me gjuhën e urrejtjes, të cilat fatkeqësisht të gjithëve na tensionojnë. Porosia lidhet me mënyrën si aktorët e ushtrojnë politikën, si aktorët e tjerë të shoqërisë të kenë kujdes dhe të ndërmarrin masa në funksion të demokratizimit të shoqërisë dhe të kontrollit të mënyrës se si shprehen, ndjenjat e njerëzve e sidomos ato që kanë për bazë ofendimet në planin etnik,fetar, kulturor dhe kështu me radhë” deklaroi Prof. Dr. Lulzim Murtezani.
Për librin në fjalë folën edhe dy profesorët universitarë, Prof. Dr. Aurora Ndrio – Karameti dhe Prof. Dr. Zylyftar Bregu. Ky i fundit e vlerësoi librin duke e cilësuar si një botim të mirë, luksoz, që publikohet në një kontekst shumë të dobishëm sepse jemi në një fushatë zgjedhore dhe libri flet për gjuhën e urrejtjes në fushatën zgjedhore. “Do të uroj që të shkojë sa më shpejt në duart e politikanëve dhe të gazetarëve, për të amortizuar, zvogëluar efektet dhe përdorimin e gjuhës së urrejtjes. Libri është një kontribut që tregon se Universiteti i Tetovës prodhon dije, nuk është se vetëm emeton dijen që e kanë prodhuar të tjerët, por prodhon dijen e vetë, prodhon dijen të dalë nga shoqëria e vetë, për shoqërinë e vetë ” tha Prof. Dr. Zylyftar Bregu.
Iniciuesja e projektit, Doc. Dr. Sheruze Osmani –Ballazhi, tha se ky projekt nuk do të jetësohej pa punën e palodhshme të kolegëve saj, të cilët për muaj të tërë kanë qenë të përkushtuar që kjo ide të realizohet. “Ideja për projekt të tillë doli si rezultat i nevojës për të sqaruar dukurinë e tjetërsimit të individëve gjatë kampanjave zgjedhore në kuptimin e nënçmimit, ofendimit, etiketimit të njëri-tjetrit por edhe të kategorizimit në tabore të caktuara me ose pa vullnetin e vetë individëve. Gjithashtu rikthehemi në një retrospektivë 10-vjeçare, mos shkojmë edhe më shumë, gjatë realizimit të cikleve zgjedhore, ajo që ka karakterizuar Maqedoninë kanë qenë incidentet qoftë në ditën e zgjedhjeve, kur ka pasur edhe viktima, ose për 10- vjetorin e fundit, pas çdo cikli zgjedhor kemi pasur incidente të ndryshme, të cilat sigurisht kanë qenë në baza etnike. Nevoja tjetër që ne e pamë në drejtim të gjuhës së urrejtjes është mungesa ose burimet e limituara të hulumtimeve shkencore në vendin tonë, të cilët kanë trajtuar gjuhën e urrejtjes. Fokusi në këtë libër është përdorimi i gjuhës së urrejtjes gjatë kampanjës zgjedhore në zgjedhjet parlamentare të vitit 2020 në Republikën e Maqedonisë” tha mes tjerash iniciatorja e projektit Doc. Dr. Sheruze Osmani Ballazhi.
Kjo ngjarje u përmbyll në formë të bashkëbisedimit mes panelistëve dhe të pranishmëve, me shpresën se evenimentet e këtilla nuk do të mungojnë edhe në të ardhmen.