Në Universitetin e Tetovës, programi studimor Filologji Orientale i Fakultetit Filozofik, organizoi manifestim për 21 Dhjetorin – Ditën e Arsimit në Gjuhën Turke në Republikën e Maqedonisë së Veriut me ç’rast të pranishëm ishin figura dhe autoritete eminente, si nga sfera e kulturës dhe arsimit, ashtu edhe nga sfera e politikës, si Atasheu për arsim dhe kulturë nga Ambasada e Republikës së Turqisë, z. Aliriza Alltunel, Atasheu për çështje fetare z. Mustafa Bodur, Rektori i Universitetit Ndërkombëtar Ballkanik në Shkup, Prof. Dr. Lutfi Sunar, drejtori i Maarif International School në Tetovë, z. Hikmet Parllall, Drejtori gjeneral i HalkBank në R. e Maqedonisë së Veriut z. Fatih Shahbaz, drejtori i institutit “Yunus Emre” Junus Dilber, përfaqësues të katedrave të turkologjisë nga universitetet e tjera në vendin tonë, Prorektori i Universitetit Ndërkombëtar Vision në Gostivar, Prof. Dr. Mensur Nuredin, përfaqësues dhe nxënës nga Medreseja “Isa Beu”, përfaqësues të shoqatave joqeveritare, deputetë në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, prodekanë, shefa të programeve studimore, profesorë dhe studentë.

Fjalën e hapjes së këtij manifestimi e mbajti dekani i Fakultetit Filozofik, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, me ç’rast në emër të fakultetit u uroi mirëseardhje të pranishmëve, duke theksuar rëndësinë e arsimit të një kombi në gjuhën amtare, në rastin konkret edhe në gjuhën turke. Po ashtu shprehu falënderime dhe mirënjohje për bashkëpunimin dhe mbështetjen e ndërsjellë ndërmjet Universitetit të Tetovës, respektivisht Fakultetit Filozofik dhe të institucioneve të sipërpërmendura për marrëveshjet dhe projektet e realizuara deri më tani, duke uruar që këto lidhje dhe bashkëpunime të vazhdojnë dhe të thellohen edhe në të ardhmen me projekte të reja.

Mbi rëndësinë dhe domethënien e kësaj dite, të pranishmëve iu drejtua edhe shefi i programit studimor Filologji Orientale, Prof. Dr. Suleyman Baki, i cili e falënderoi Universitetin e Tetovës për mundësinë dhe mbështetjen e dhënë në vazhdimësi për funksionimin e programit studimor Filologji Orientale, respektivisht drejtimit Gjuhë dhe letërsi turke dhe për realizimin e programeve të rëndësishme për komunitetin turk në RMV.

Fjalë rasti pati edhe Atasheu për arsim dhe kulturë nga Ambasada e R. së Turqisë, z. Aliriza Alltunel, i cili i uroi dhe i përgëzoi organizatorët e këtij manifestimi, Universitetin e Tetovës dhe në veçanti Fakultetin Filozofik me në krye dekanin, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunim dhe mbështetje për projekte edhe në të ardhmen.

Programi vijoi me një prezantim mbi vargjet popullore që pasqyrojnë fuqinë shprehëse dhe pasurinë e fjalës në gjuhën turke, si dhe një prezantim me aktivitetet e programit studimor Filologji Orientale, ku u zhvillua një seancë e organizuar enkas për këtë ditë, me temë “Gjuha turke dhe arsimi në gjuhën turke sot dhe e ardhmja e saj në Maqedoninë e Veriut”, drejtuar nga Dr. Eljesa Ismaili, ku përmes kumtesave të tyre gjuhëtarë, letrarë dhe njohës së çështjeve arsimore, Prof. Dr. Aktan Ago, Doc. Dr. Gyrkan Morallë, Lejla Sherif Emin dhe Zekerija Hasipi, i paraqitën pikëpamjet e tyre mbi gjuhën dhe arsimin, peripecitë dhe arritjet.